SHBA: Putin pa miq në skenën ndërkombëtare, sheh Kinën si aleate

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë në një konferencë shtypi të martën se Kina nuk mund të konsiderohet “e paanshme” në pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shmangi ta cilësonte marrëdhënien e Kinës me Rusinë një aleancë, në vend të kësaj e përshkroi atë si një “martesë komoditeti” për liderët e dy vendeve, Xi Jinping dhe Vladimir Putin.

“Tek Presidenti Putin dhe Rusia, Presidenti Xi sheh një kundërpeshë ndaj ndikimit amerikan dhe ndikimit të NATO-s sigurisht në kontinent dhe kudo në botë”, tha Kirby.

“Tek presidenti Xi, presidenti Putin sheh një mbështetës të mundshëm këtu. Ky është një njeri që nuk ka shumë miq në skenën ndërkombëtare”, shtoi ai.

Megjithatë, Kirby denoncoi mosgatishmërinë e Kinës për të dënuar pushtimin rus, duke akuzuar presidentin Xi për “përsëritje të propagandës ruse se kjo është disi një luftë e Perëndimit kundër Rusisë”. /albeu.com


Shtuar 21.03.2023 21:59