Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë ndihmën ushtarake prej 200 milion dollarësh për Ukrainën.
Lajmin e bën të ditur rrjeti vendas NBC News. Zhvillimi vjen mes një jave të zhurmshme diplomacie trans-Atlantike për çështjen.
Shtëpia e Bardhë kishte përgatitur një paketë shtesë ndihme ushtarake prej 200 milionë $ për fqinjin rival të Rusisë, e cila tashmë është lënë pezull, raprotonte sot rrjeti amerikan duke cituar burimet e zakonshme anonime “të brendshme të çështjes.”
NBC shtonte më tej se SHBA do të zgjedhë opsione të tjera për të ndihmuar Ukrainën, siç është një paketë më e madhe ndihme që mund të aprovohet “në rast të një inkursioni të mundshëm nga Rusia.”
Rrjeti shtonte se burimet e tij sinjalizonin se Shtëpia e Bardhë kishte shtyrë dërgesën e armatimeve dhe pajisjeve ushtarake drejt Ukrainës në kuadër të përpjekjeve për shuarjen e tensioneve aktuale dhe ruajtjen e influencës në rast të një sulmi konkret rus ndaj Ukrainës.
Moska vazhdimisht ka mohuar raportimet se kërkon të sulmojë duke thënë se manovrat e saj janë të një natyre difensive, por shton se mund të nisë veprim ushtarak nëse Kievi bën “provokime”.
Presidenti amerikan Joe Biden foli dje në telefon me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky ku përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për sovranitetin e Ukrainës.
Moska akuzon Kievin për rrezikim të sigurisë detare në Detin Azov pranë Krimesë. Ukraina mohon akuzat dhe akuzon Rusinë për “dezinformacion.”/albeu.com/