SHBA paralajmëron Turqinë: Mos guxoni të ndihmoni Moskën!

Shtetet e Bashkuara kanë dalë me një paralajmërim të hapur ndaj Turqisë, duke i kërkuar të mendohet mirë lidhur me eksportet e kimikateve, mikroçipave dhe produkteve tjera në Rusi, të cilat Moska nga ana e saj mund t’i përdorë në luftën që po zhvillon ndaj Ukrainës.

Gjatë vizitave të tij këtë javë në Ankara e Stamboll, zyrtari i Departamentit amerikan të Thesarit, Brian Nelson, shtoi presionin mbi Turqinë për të tkurrur marrëdhëniet tregtare me rusët.

Në takimet e zhvilluara në Ankara dhe Stamboll, Nelson dhe delegacioni i tij, kanë përmendur eksportet në Rusi që kanë vlerë miliona dollarë.

“Nuk është befasi që Rusia vazhdimisht synon të shfrytëzojë lidhjet historike me Turqinë”, thanë zyrtarët amerikane, duke shtuar se “Pyetja është se si do të përgjigjet Turqia”.

Perëndimi ka vendosur sanksione dhe ka kryer kontrolle të eksporteve drejt Rusisë, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, gati një vit më parë.

Megjithatë, zinxhirët e furnizimeve nga Hong Kongu dhe Turqia kanë mbetur të hapur.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar, se pajisje elektronike në vlerë të 2.6 miliardë dollarëve janë eksportuar në Rusi në periudhë shtatëmujore, përkatësisht deri në fund të muajit tetor.

Produkte në vlerë të 777 milionë dollarëve janë prodhuar nga kompanitë perëndimore, çipat e të cilave janë gjetur në sistemet ruse të armatimit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/


Shtuar 4.02.2023 17:55