Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.
The United States welcomes the agreements reached between Kosovo and Serbia to avoid further escalation of tensions and to concentrate fully and urgently on normalizing relations under the auspices of the EU-facilitated dialogue. https://t.co/MoQGmRAxlL
— Ned Price (@StateDeptSpox) November 24, 2022
Në deklaratë mirëpritet “vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.
Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha ndërkaq se pati një bisede të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.
Good call with Kosovan PM @AlbinKurti. Thanked him for constructive engagement in finding a way forward to deescalate tensions and committing to urgently work on normalization of relations between Kosovo and Serbia in the EU-facilitated dialogue, which the U.S. strongly supports.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) November 24, 2022
Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës, që kishte shtuar shqetësimet për nxitje tensionesh të reja në zonë.
Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t’u përqendruar plotësisht në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara./voa