SHBA dënon me vdekje vrasësin e 11 besimtarëve

Dënim me vdekje dha gjykata për autorin e vrasjes së 11 besimtarëve në një sinagogë në Pittsburgh, një prej sulmeve më vdekjeprurëse antisemitike në historinë e SHBA. Juria e shpalli fajtor Robert Bowers në Qershor, për sulmin e Tetorit të vitit 2018-të në Pennsylvania dhe përgjatë kësaj kohe patën diskutime të gjata nëse ai duhet të përballej me ekzekutim ose burgim të përjetshëm.

Që Bowers të dënohej me dënim me vdekje, anëtarët e jurisë duhet të binin dakord në mënyrë unanime.

Kamionisti 50-vjeçar plagosi gjithashtu disa persona të tjerë, përfshirë 5 oficerë policie, gjatë sulmit me armë në sinagogën “Tree of life” (Pema e jetës).

Bowers u dënua për 63 akuza, përfshirë krime me bazë urrejtje me pasojë vdekjen dhe pengim të ushtrimit të lirisë së fesë me pasojë vdekjen.

Gjatë gjyqit që zgjati disa javë, gjykata dëgjoi dëshmi nga të mbijetuarit dhe u njoh me prova për antisemitizmin e tij, përfshirë postime për të sulmuar hebrenjtë në një website të ekstremit të djathtë, disa muaj përpara sulmit.

Kur u arrestua në vendin e ngjarjes, ai u tha oficerëve të policisë se “të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin” dhe që prej asaj kohe ai ka shprehur krenari për vrasjet e tij.

Gjatë kohës kur u dha dënimi, prokurorët argumentuan se Bowers kishte qëllimin dhe paramendimin e nevojshëm për t’u kualifikuar për dënimin kapital. Ata sollën në gjyq dëshmitarë dhe prova për të treguar se sulmi i tij kishte qenë i planifikuar me kujdes dhe kishte sulmuar qëllimisht besimtarë të moshuar, të pafajshëm.

Nga ana e tyre, avokatët e Bowers pretenduan se ai vuante nga sëmundje të rënda të shëndetit mendor, përfshirë skizofreni./tvklan.al


Shtuar 2.08.2023 21:54