Zhvillimet dramatike në Afganistan kanë hapur në Uashington debatin nëse tërheqja amerikane ishte vendimi i duhur, duke pasur parasysh se sa shpejt morën kontrollin e vendit Talebanët. Analistët bien dakord se precipitimi i gjendjes ishte i papritur dhe tronditës, por kanë mendime të ndryshme lidhur me vendimin e Presidentit Joe Biden.
Charles Kupchan, studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se është e arsyeshme të shtrohen pikëpyetje për vendimin duke parë përparimin e pafrenuar të Talebanëve.
“Megjithatë, paradoksalisht, shpejtësia dhe lehtësia e përparimit të talebanëve vetëm rikonfirmon se Biden mori vendimin e duhur – dhe se ai nuk duhet të ndryshojë kurs”, shkruan zoti Kupchan për organizatën e medias “Project Syndicate”, e cila trajton çështje të politikës së jashtme.
“Mungesa e efektivitetit dhe rënia e institucioneve ushtarake dhe qeverisëse të Afganistanit vërteton në masë të madhe mosbesimin e Presidentit Biden se përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të mbështetur qeverinë e Kabulit do ta bënin ndonjëherë të mundur që ajo të funksiononte në mënyrë të pavarur”, vazhdon ai.
Por Daniel Fried, studiues në Këshillin e Atlantikut, thotë se megjithëse shqetësimi “për një luftë të përhershme” nga ana e tre administratave të fundit, është i kuptueshëm, zhgënjimi nuk duhet të jetë bazë për vendimet politike.
Ish-zyrtari i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit shkruan se para vendimit të Presidentit Biden, situata në Afganistan dukej se kishte hyrë në një ngërç dhe dukej e pamundur që të mposhteshin Talebanët në të ardhmen e afërt.
“Por ka një ndryshim midis ngërçit dhe disfatës – veçanërisht të atij lloji kataklizmik që po ndodh aktualisht”, thotë zoti Fried.
“Shtëpia e Bardhë duket e pakujdesshme dhe pa njohuri për situatën në terren dhe duket se e ka marrë vendimin e saj kryesor bazuar në vlerësime të pasakta ose pa e peshuar”, shton ai.
Zoti Fried thotë se tërheqja amerikane dhe zhvillimet në Afganistan janë të dëmshme për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara.
“Është një periudhë e errët për strategjinë amerikane. Administrata Biden duhet të ndërmarrë veprimet e duhura në mbështetje të miqve të saj afganë dhe të frenojë dëmin. Ajo gjithashtu duhet të sigurojë aleatët në të gjithë botën se fjalët e Amerikës mund të mbështeten me vepra”, thotë ai.
Ish-diplomati i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara, si dhe qeveritë e tjera që kishin trupa në Afganistan, kanë detyrime ndaj mijëra afganëve që kanë punuar me ne dhe aleatët e tyre gjatë shumë viteve.
“Ata na besuan dhe tani ne duhet të veprojmë për t’i shpëtuar ata. Forcat amerikane në Kabul mund të jenë në gjendje të ofrojnë një dritare shpëtimi për partnerët tanë, jo vetëm amerikanët”, thotë ai.
Si zoti Kupchan, edhe zoti Fried vlerësojnë arritjet e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit, që kur filloi lufta pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Megjithatë ata kanë mendime të kundërta lidhur me rrugën që duhet të ndiqnin Shtetet e Bashkuara tani pas 20 vjetësh, vdekjes së mijëra vetëve dhe shpenzimit të triliona dollarëve.
Zoti Kupchan thotë se objektivi për t’i bërë të qendrueshme institucionet afgane, dështoi se “misioni kishte të meta fatale që në fillim”.
“Ishte jo realiste të përpiqeshe ta shndërroje Afganistanin në një shtet të centralizuar, unitar. Topografia e vështirë e vendit, kompleksiteti etnik dhe besnikëritë fisnore dhe vendore prodhojnë fragmentim të vazhdueshëm politik. Një rajon i trazuar dhe kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve të jashtme e bëjnë ndërhyrjen e huaj të rrezikshme”, thotë ai.
Por zoti Fried thotë se rreziku i rikthimit të një pranie terroriste atje është real.
Shtëpia e Bardhë duhet të jetë e gatshme të veprojë kundër saj. Ajo që ndodh në Afganistan jo domosdoshmërisht do të mbetet vetëm në Afganistan dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund t’u kthejnë shpinën pasojave rajonale dhe të sigurisë të fitores së talebanëve. Kjo do të thotë të punosh me fqinjët e Afganistanit – madje edhe Iranin, përsa të jetë e mundur, dhe veçanërisht Pakistanin, i cili për vite me radhë strehonte talebanët për arsyet e veta – për të kontrolluar dëmin”, thotë zoti Fried.
Administrata e Presidentit Biden po e mbron vendimin për t’u larguar nga vendi pas 20 vitesh dhe nuk priste që talebanët të përparonin me kaq shpejtësi.
“Presidenti vendosi se ishte koha për t’i dhënë fund kësaj lufte për Shtetet e Bashkuara, për të dalë nga mesi i një lufte civile në Afganistan dhe për t’u siguruar që ne po ndjekim interesat tona në të gjitë botën. Kjo është ajo që po bëjmë“, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken./VOA