Serbia vijon t’i hapë probleme republikës së Kosovës, duke përdorur për këtë qëllim të gjitha mjetet e mundshme që ka në dispozicion.
Ditën e sotme ata kanë bllokuar nje kamion të Kosovës që po shkonte në Gjermani, duke kaluar përmes Serbisë.
Autoritetet atje kanë gjetur arsye të paqena për të realizuar këtë gjë, që ndoshta mund të jetë edhe e organizuar për një provokim të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka njoftuar se kamioni i një prodhuesi kosovar që eksporton në Gjermani, është ndalur sa po kalonte në Serbi, pasi që në dokumentet përcjellëse shkruante Republika e Kosovës.
Panxha, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka treguar se kompanitë kosovare po hasin në vazhdimësi probleme të këtilla, shkruan Gazeta Express.
“Sapo më njoftoj një prodhues që eksporton në Gjermani se kamioni që kalon transit përmes Serbisë i është bllokuar nga autoritetet serbe. Arsyeja e bllokimit është se në dokument shkruan RKS dhe përmes marrëveshjes së re autoritet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS edhe pse është i destinuar për vendet tjera”, ka shkruar ai.
“Do të thotë bllokadat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen kompanitë kosovare nuk kanë të ndalur. Menjëherë duhet të reagojnë institucionet e Kosovës!!”, shton tutje Panxha.
Megjithatë, në kundërshti me vendimin e ndërmarrë nga autoritetet serbe, pika e dytë e marrëveshjes për targat precizon se dy vendet duhet të përdorin afishe vetëm për mbulimin e targave me elemente shtetërore./albeu.com