Më shumë se tetë tonë kokainë, e fshehur në një kontejner me banane nga Ekuadori, u kapën në portin e Roterdamit, thanë prokurorët holandezë, në atë që ishte kapja më e madhe e drogës në vend deri më sot.
Tetë ton drogë, me një vlerë tregu prej 600 milionë eurosh, u sekuestruan më 13 korrik, por operacioni nuk u bë i ditur më herët për shkak të hetimeve në vazhdim.
“Më 13 korrik, autoritetet doganore bënë sekuestrimin më të madh të drogës të bërë ndonjëherë në portin e Roterdamit”, thuhet në një deklaratë të prokurorisë.
“Në dymbëdhjetë paleta banane u gjetën gjithsej 8,064 pako kokainë – me peshë nga një kilogram secila”, thanë prokurorët, duke shtuar se droga u asgjësua.
Kontejneri kishte mbërritur në Roterdam nëpërmjet Panamasë.
“Edhe një herë ia dolëm t’u japim një goditje të rëndë trafikantëve të drogës në port”, tha drejtori i doganave të Roterdamit, Peter van Buijtenen, duke e përshkruar sekuestrimin si “të madh”.
Doganat holandeze sekuestruan më shumë se 29,702 kilogramë drogë në gjysmën e parë të 2023, më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar (22,009 kilogramë), sipas shifrave të publikuara nga autoritetet në korrik.
Më shumë se gjysma e dërgesave të sekuestruara përmbanin më pak se 100 kilogramë drogë, tha qeveria në atë kohë.
Holanda, Belgjika dhe Spanja janë vendet në të cilat mbërrijnë sasitë më të mëdha të drogës në Evropë, me dërgesa kryesisht nga Panamaja, Kolumbia dhe Ekuadori. Vitet e fundit, Ekuadori – një vend i vendosur midis Kolumbisë dhe Perusë – është goditur nga një valë dhune që i atribuohet bandave të trafikut të drogës.
Njoftimi i sekuestrimit vjen një ditë pas vrasjes së Fernando Villavicencio, një prej kandidatëve për presidencën e Ekuadorit, i njohur për zbulimet e tij në çështjet e korrupsionit. Javën e kaluar, Villavicencio raportoi se kishte marrë kërcënime kundër tij dhe anëtarëve të ekipit të tij të fushatës nga lideri i burgosur i një bande të trafikut të drogës.