Policia zbarkon te vila e Jamarbër Malltezit në Gjirin e Lalzit, ndryshohen bravat e apartamenteve në Tiranë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit, përfshi edhe vilën në Gjirin e Lalzit.

Dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha i bllokohen gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.

Oficerët e Policisë Gjyqësore, kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit. Ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.

Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, e cila njihet edhe si rrugica e ish-kryeministrit, pasi këtu jeton Berisha në banesën në emër të vajzës së tij, ku sipas vendimit të GJKKO-së edhe ky apartament do të kalojë në sekuestro.

Nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar dhe postimet e tij në rrjete sociale. Oficerët do të paraqiten fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave sipas TCH. Deri në një vendim tjetër këto do të jenë në sekuestro dhe Malltezi nuk mund të kryejë asnjë procedurë tjetër qoftë shitje, blerje apo qira.


Shtuar 23.10.2023 13:46