Sekretarja amerikane e Thesarit tregon si braktisi takimin me Rusinë: Sjellja e tyre është shumë fyese ndaj normave ndërkombëtare

Sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen tha se ajo dhe ministrat e tjerë të financave u larguan nga një takim me dyer të mbyllura të G20 me Rusinë të mërkurën sepse “thjesht nuk mund të jetë punë si zakonisht për Rusinë për sa i përket pjesëmarrjes së saj në forumet tona globale” ku vendet takohen për të adresuar sfidat e përbashkëta.

Komentet e Yellen për largimin erdhën gjatë një konference për shtyp me gazetarët sot. Sekretarja e thesarit u largua së bashku me zyrtarë evropianë dhe të tjerë perëndimorë që po merrnin pjesë në takim, sipas një burimi për CNN.

“Mendoj se pjesëmarrja në ato forume kërkon një angazhim nga ana e vendeve për t’iu bindur normave dhe vlerave themelore që qëndrojnë në themel të bashkëpunimit ndërkombëtar. Vendimi im, së bashku me atë të të tjerëve për t’u larguar kur filloi të fliste ministri rus i financave ishte për të bërë të qartë se sjellja e Rusisë … është aq fyese ndaj normave ndërkombëtare, saqë ne nuk jemi të gatshëm të lejojmë Rusinë të marrë pjesë ose të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë rusët.”

Përpara takimit, zyrtarët amerikanë kishin thënë se Yellen nuk do të merrte pjesë në seanca të caktuara të mbledhjes që përfshinin Rusinë.

Zyrtarët ukrainas folën gjithashtu në seancë si mysafirë të ftuar, por u larguan së bashku me Yellen dhe zyrtarë të tjerë kur ministri rus i financave Anton Siluanov filloi të fliste virtualisht./albu.com