Sekretari amerikan i kërkon Vuçiçit njohjen e Kosovës

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njohjen e ndërsjellë me Kosovën.

Në një letër që i kishte dërguar Vuçiçit më 23 shkurt, e që është publikuar nga mediumi serb “Novosti”, Blinken, kishte thënë se synimi i SHBA-së është një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës të përqendruar te njohja e ndërsjellë.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve do të çojë përpara të ardhmen evropiane të gjithë rajonit”, kishte shkruar Blinken ndër tjera, në letrën që ia kishte dërguar Vuçiçit jashtë protokollit të zakonshëm, e ku në fund të saj kishte shkruar edhe një mesazh me stilolaps, raporton Novosti.

Blinken edhe në një letër dërguar autoriteteve serbe, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë kishte thënë se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis.

Edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kishte  inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila do të përfshinte njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq ish-kryeministri Avdullah Hoti duke komentuar kërkesën e Blinkenit ndaj Serbisë ka thënë se këta janë miqtë e vërtetë të Kosovës. Ai ka shtuar se duhet ruajtur miqësia speciale me SHBA-në.

“Dialogu është ri-filluar mbi parime të qarta në Qeverinë e kaluar – dialog vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, pa u cenuar karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Mbi këto parime kemi fituar mbështetjen e partnerëve tanë për këtë proces”, ka shkruar ai./ Koha.net

Shtuar 31.03.2021 12:03