“Sekretare e Ramës dhe zëdhënëse e Bashës”, Berisha sulmon sërish Yuri Kim, mesazhi që ka për të

Nga Patosi, ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish ambasadoren e SHBA-ve në Shqipëri të cilën e quan zëdhënëse të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Berisha gjithashtu i bëri një kërkesë në emër të të gjithë shqiptarëve, të mos inkurajojë prokurimet direkte në këtë vend pasi janë korruptive.

“Në një intervistë para 10 ditësh, zonja Kim, e cila kalon nga sekretare ideologjike e PS në zëdhënëse të Lul Bashës sipas klimës, po mburrej për investimet amerikane gjatë kohës së saj. Dua t’i them dy fjalë, ne këtu jemi proamerikanë më shumë se kushdo tjetër. Ne presim me krenari të madhe investitoret amerikane, por kompania me e madhe që ka punuar në Shqipëri ka qenë Becker, që ndërtoi rrugën e Kombit. Zonjë, në emër të gjithë shqiptarëve, mos inkurajoni prokurimet direkte në këtë vend, sepse pavarësisht nga vendi që vijnë, prokurimet direkte janë korruptive. Nëse ju jeni e interesuar për luftën kundër korrupsionit dhe investimet e huaja, insistoni për tendera të hapura”, tha Berisha./albeu.com

Shtuar 26.01.2022 17:14