Mbledhja e Kuvendit ka filluar me diskutime të ashpra mbi rendin e ditës dhe procedurat parlamentare. Taulant Balla, kryetari i grupit socialist, sugjeroi një ndryshim në agjendë, duke kërkuar që shqyrtimi i një projektligji të shtyhej për në seancën e ardhshme.
Balla argumentoi se projektligji për shoqëritë evropiane është i lidhur ngushtë me angazhimet e qeverisë në kuadër të procesit të integrimit në BE, veçanërisht për kapitullin 17.
Të lidhura
None found
“Meqenëse ky ligj ka të bëjë me detyrat dhe punën që qeveria po kryen për kapitullin 17 të BE-së, propozoj që të bashkohet me seancën e datës 23, në mbledhjen pasardhëse. Përgëzoj ministrat për punën e tyre”, u shpreh ai.
Pas tij, Gazment Bardhi, kryetari i grupit demokrat, reagoi duke shprehur shqetësimin për mënyrën e hartimit të agjendës. Ai akuzoi shumicën se po pengon nismat ligjore të opozitës.
Sipas tij, prej 7 javësh, katër projektligjet e propozuara nga opozita janë bllokuar, ndërsa ato të maxhorancës po shqyrtohen pa vonesë, çka përbën shkelje të rregullores së Kuvendit.
Duke iu drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Bardhi kërkoi që, nëse integrimi evropian është argumenti për shtyrjen e ligjeve, atëherë të përfshihen në agjendë edhe katër projektligjet e opozitës.
“Meqë hoqëm për hatër të integrimit, le t’i fusim për hatër të integrimit edhe katër ligjet tona”, tha ai, duke theksuar se mazhoranca po favorizon vetëm nismat e veta.
Pas përfundimit të debateve, ndryshimi i rendit të ditës u vu në votim dhe u miratua me 75 vota për dhe 31 kundër.
