Seanca për shkarkimin e Metës, Balla: Kemi një raport prej 100 faqesh

Pas vendimit të Kuvendit për seancën që do të mbahet më 9 qershor për votimin e raportit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Nga oborri i Kuvendit, Balla tha se është përgatitur një raport 100 faqesh.

“Jemi njohur me raportin e paraqitur nga Komisioni Hetimor për verifikimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga presidenti. Është një raport shumë konsistent, prej rreth 100 faqesh, dhe që natyrshëm deputetët do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Në këtë këndvështrim, kemi rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve që seanca plenare për shqyrtimin dhe votimin e raportit për shkarkimin e Presidentit të zhvillohet më 9 qershor, ora 10:00. Kemi dakordësuar kohën me kryetarët e grupeve të tjera parlamentare. Kujtoj se është Kushtetua ajo që përcakton mënyrën e zhvillimit të kësaj seance”, tha Balla./albeu.com


Shtuar 31.05.2021 12:15