Seanca në GJKKO, i penduari Erion Alibej rrëfen për masakrën e Bradasheshit

Ditën e sotme u zhvillua në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, seanca e radhës e dosjes “Plumbi i Artë”.

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej ka dhënë dëshminë e tij, ku ka rrëfyer momentin kur ka ndodhur masakra e Bradasheshit, në të cilën humbën jetën vëllai i tij, Endrit Alibej, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe një person tjetër me nënshtetësi turke, Erdal Durunay.

Ngjarja në fjalë ndodhi në dhjetor të 2018-ës, vit në të cilin, Erion Alibej dëshmoi se kishte vendosur që të vinte në Shqipëri përfundimisht.

Para togave të zeza, ai ka rrëfyer se çfarë ndodhi natën e 29 Dhjetorit 2018 në Elbasan. Fillimisht para se të shkonte në vendin e ngjarjes ka hasur Mikael Qosen, i dyshuar më vonë për vrasjen e Endrit Alibejt.

“Sa ishim larguar nga gëzimi familjar kur më telefonuan. Unë në atë moment pashë një [BMW] “X5” të bardhë të Mikael Qoses para “fast food”-it të Dine Çamit. Kur u shkëmbyem i thashë Mikaelit, a ke hekur aty. Jo, më tha, çfarë ka ndodhur. I thashë, që i kanë gjuajtur Endritit. Bashkë me të në makinë ishte edhe Ervis Çopja, që i thërrisnin “Liçe””, tregoi Erion Alibej.

Erion Alibej ka treguar se ishte i pari që ka shkuar në skenën e krimit. Dyshimi i tij i parë ka lindur pasi nuk gjeti një patrullë policie, e cila çdo natë ishte aty. Fillimisht familjarët që po i shoqëronin me një makinë mbrapa kanë pandehur për një aksident, por kur kanë hapur derën e mjetit kanë parë të plagosurit.

“Aty ishte errësirë. Aty gjithmonë rrinte një patrullë policie, por atë natë nuk ishte, ç’ka më ngriti dyshime. Gjeta aty familjarët e mi në një situatë që nuk e shpjegoj dot. E para që ka hapur derën e “Range Rover”-it ishte bashkëshortja ime. Pastaj motra ime. Kishin pandehur një aksident fillimisht. E gjeta të ngrohtë Endritin. Shtetasi turk po ashtu. Edhe xhaxhai pas ishte i pajetë. Erdhi pastaj policia dhe ambulanca. Endriti i kishte plumbat nën krah. E çuam Endritin në spital, por më pas mësuam që ishte pa jetë”, u shpreh Alibej.

Pas përhapjes së lajmit për ngjarjen, në shtëpinë e tij për ngushëllim kanë shkuar edhe anëtarë të familjes tjetër të njohur në Elbasan si të përfshirë në veprime kriminale, Çapjat. Këta të fundit i kanë sugjeruar që masakrën e ka kryer Suel Çela.

“Shumë shpejt erdhën Çapjat, Florenc Çapja, Bledar Muça, Ervis Çaushllari (Korçari). I ndaj veç e i dëgjoj. Bledar Muçën e takoja për herë të parë, Florenc Çapjen për herë të dytë. Më thotë Bledar Muça, i pata thënë Endritit të bënte kujdes. Nga kush i them. Suel Çela, tha, askush tjetër, ai i bën këto masakra”, tha Erion Alibej.

Alibej ka treguar se kur ishte në kërkim ka qëndruar për disa kohë në Durrës. Më pas ka qenë në një fshat mes Elbasanit dhe Peqinit. Ai dëshmoi se vendosi që të dorëzohej në momentin që i vranë djalin e xhaxhait, Andi Zylyfi.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se masakra e Bradasheshit u porosit nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja dhe u pasua me urdhërimin e vrasjeve të disa personave të afërm të Endrit Alibejt.


Shtuar 29.05.2025 17:29