Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i arrestuar ditën e martë me urdhër të SPAK ka dalë sot para Gjykatës.
Mësohet se Dako ka mohuar akuzat e SPAK.
Në lidhje me pallatin që Prokuroria thotë se është dhënë leja në kundërshti me ligjin, Dako i tha Gjykatës se nuk ka dijeni, madje nuk e di dhe sa kate është.
Më tej, ai ka dhënë sqarime edhe në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e “Brrylit” deri në “Currila”, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.
Sipas Dakos, kjo procedurë prokurimi publik është zhvilluar nga specialistët.
Ish-kryebashkiaku ka deklaruar se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurimit për këtë tender. Gjithashtu ai i ka kërkuar Gjykatës masë më të butë sigurie.
Avokati i tij mbrojtës, Petrit Ismalili përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat, e për këtë ai ka kërkuar masa më të buta si ajo e “arrestit shtëpiak”, “detyrim për t’u paraqitur”, apo edhe garanci pasurore. Ndërkohë, seanca vijon ku janë të pandehurit e tjerë që po japin shpjegimet e tyre për akuzat e ngritura nga SPAK.
Pse akuzohet Dako?
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe bashkëpunëtorët e tij në bashki akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dy raste. Rasti i parë ka të bëj me një pallat që u nis me 7 kate në 2010 dhe përfundoi 11 kate në vitin 2014. Ky pallat për shkak se nuk ishte bërë kontrolli sizmik nuk arriti që të përballonte tërmetin në vitin 2019 dhe u dëmtua. Për këtë u arrestua dhe ndërtuesi i pallatit Fiqiri Farruku. Për këtë rast akuzohen Vangjush Dako, Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Adhurim Qehajaj. Arkitekti Ermal Lama, projektuesja Meri Semini topografët Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku.
Rasti i dytë ka të bëjë me një tender të datës 25 mars 2014 për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Për këtë akuzohen Vangjush Dako dhe grupi punës i përbërë nga, Adhurim Qehajaj, Diana Dedja, Adnan Toçila, anëtarë të cilët kanë patur si detyrë, përcaktimin e termave të referencës dhe fondin limit. Fondi limit i tenderit në fjalë ishte 21 milionë lekë, por për shkak të një gabimi në sipërfaqen e projektit, ku u ndryshua nga 2.04 hektarë në 20.4 hektarë, vlera arriti në 210 mln lekë./ALbeu.com./