Ëndrrat e ministres Bora Muzhaqi duket se janë bërë realitet. Në prill të vitit të kaluar ministrja për Rininë dhe Fëmijët kishte thënë se nxënësit e klasave të para do të mësojnë kodimin dhe ky projekt kaq largpamës tashmë do të vihet në zbatim.
“Orientimi në shkenca do u ofrojë të rinjve një të ardhme më të sigurt. Politikat në këtë fushë janë dy. E para është përfshirja e kodimit që në klasë të parë dhe e dyta që lidhet me ofrimin e bursave për të rinjtë. Fillimin e vitit të ri shkollor 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë do pajisen me laboratorë teknologjikë të rinj. Fëmijët e klasës së parë do mësojnë kurrikulën e kodimit. Këta fëmijë bashkë me ata që ndjekin kodimin si lëndë ekstra kurrikulare do jenë ata që do hapin rrugën për Shqipërinë e teknologjisë për të konkurruar në mënyrë të denjë me bashkëmoshatarët europianë”, kishte thënë Muzhaqi.
Tashmë bëhet fjalë për një plan veprimi që do të përfshijë një kurrikulë të kursit të kodimit me shumë nivele për nxënësit. Platforma që do të përdoret në vendin tonë është ajo e CodeMonkey dhe pritet të gjejë zbatim në 100 shkolla të Shqipërisë.
CodeMonkey fillimisht do të gjejë përdorim tek nxënësit e klasave të para dhe më pas do të hapet për klasat e tjera në nivele të ndryshme.
CodeMonkey pritet gjithashtu të trajnojë mësuesit shqiptarë për t’u bërë “ekspertë” në përdorimin e platformës së tij të kodimit, teksa pretendohet që nxënësit të mësojnë gjuhë të vërtetë programimi.
Nuk dihet ende sa ka kushtuar platofrma dhe cilat do të jenë shkollat që do të bëhen pjesë e “eksperimentit” të parat, por teksa të gjithë qeshnin me gafën e radhës së ministres Muzhaqi, një projekt i ri ishte duke “u gatuar” dhe asgjë nuk ishte bërë publike. /albeu.com