Kryeministri Edi Rama, ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke njoftuar sërish mbajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë më 16 maj.
Në këtë samit, sipas tij, do të mblidhen udhëheqësit e 700 milionëve të Europës, përfshirë liderë nga shtetet që janë jashtë Bashkimit Evropian.
Rama theksoi se Shqipëria ka fituar këtë mundësi, për shkak të respektit dhe vlerësimit që ka nga të gjithë në kontinent.
“Në 16 maj do të presim samitin e komunitetit politik europian ku do të kemi në Tiranë udhëheqësit e 700 milionëve të Europës përtej BE-së. Arsyeja pse Shqipëria e mori këtë mundësi është e thjeshtë se është një vend që të gjithë e shohin me sytë e respektit dhe të gjithë kanë vlerësime dhe mua më bëjnë shumë krenar, por më e rëndësishme se krenaria është motivimi dhe frymëzimi për të vazhduar më tutje”, thotë Rama në videon e postuar në Facebook.
Ndërkohë në postimin në Facebook, Rama shprehu krenarinë që liderët e Evropës do të mblidhen në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një moment të veçantë për Shqipërinë dhe kontinentin.
“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për faktin se në 16 maj, do të bëhen bashkë në zemër të Tiranës për Samitin e Komunitetit Politik Europian, liderët e të gjithë kontinentit tonë të demokracive, nga Londra në Kiev e nga Oslo në Ankara, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.