Samiti i G7-ës ul çmimin e naftës, kush është propozimi që po diskutohet për të “goditur” Rusinë

Çmimet e naftës ranë të hënën teksa liderët e vendeve u mblodhën në samitin e G7-ës në Gjermani. Sipas The Guardian investitorët qëndruan vigjilentë për çdo lëvizje kundër eksporteve të naftës dhe gazit rus që mund të dilte nga takimi i G7-ës.

Në këtë samit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të arrijnë një marrëveshje në parim për propozimin e tyre për një kufi ndërkombëtar për çmimin e naftës ruse.

Kjo synon ta detyrojë Rusinë ta shesë naftën e saj në të ardhmen me një çmim shumë më të ulët për blerësit e mëdhenj si India.

Kjo mund të funksionojë në mënyrë që Perëndimi t’i lidhë shërbime të tilla si sigurimi i transportit të naftës me pajtueshmërinë me kufirin e çmimeve.

Udhëheqësit e G7, pritet të diskutojnë opsionet për trajtimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe zëvendësimin e importeve të naftës dhe gazit rus, si dhe sanksione të mëtejshme që nuk përkeqësojnë inflacionin.

Këto masa përfshijnë dhe një kufi çmimi për eksportet ruse të naftës për të reduktuar të ardhurat e Moskës duke kufizuar dëmin për ekonomitë e tjera.

“Është e paqartë nëse një kufi çmimi do ta arrijë këtë rezultat,” tha në një shënim analisti i Commonwealth Bank of Australia, Vivek Dhar.

“Asgjë nuk e pengon Rusinë që të ndalojë eksportet e naftës dhe produkteve të rafinuara në ekonomitë e G7, në përgjigje të një kufiri çmimi, duke përkeqësuar kushtet e mungesës në tregjet globale të naftës dhe produkteve të rafinuara”, tha ai.

G7 do të diskutojë gjithashtu perspektivën e riaktivizimit të bisedimeve bërthamore me Iranin pasi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian u takua me zyrtarë të lartë në Teheran për t’u përpjekur të zhbllokojë negociatat e ngecura, tha të dielën një zyrtar i presidencës franceze.