Salianji në Gjirokastër: SPAK të shkojë tek koka, aty ku qelbet edhe peshku në këtë vend

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji nga Gjirokastra tha se kjo qeveri është e zhytur në zullume dhe se paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë për personat me rekorde kriminale.

Salianji u shpreh drejtoritë dhe ministritë me buxhetin më të madh kanë dalë zbuluar para qytetarëve.

Ai solli shembullin e kryetarit të bashkisë Libohovë, të cilin SPAK e mori të pandehur për trafik droge.

“E keni parë që këto kohë drejtoritë dhe ministrat me buxhetin më të madh, qeveria dhe bashkitë kanë dalë zbuluar.

Janë lakuriq në sytë e publikut si të zhytura në abuzime zhvatje të parave të taksapaguesve.

Është rasti sot këtu ta diskutojmë sesi edhe një bashki që e morën dhunshëm në qarkun tuaj, bashkinë në Libohovë e patë si kryebashkiaku aktual ishte i përfshirë në trafik droge.

Ishte kthyer në shkelës së ligjit dhe bashkëpunëtor të trafikantëve dhe sot drejton një komunitet.

A është dita sot që në një situatë normale që qeveria, kryeministri, ministrja ti kërkojë ndjesë qytetarëve të Gjirokastrës.

A jemi në të njëjtën situatë me kryebashkiakun e Tepelenës, analfabet funksional?

A jemi sot përpara fakteve ku aferat qindra miliona euroshe në shëndetësi, tek rrugët, tek inceneratorët, në bujqësi, ku fermerët duhet të merrnin para nga taksapaguesit evropiane përveç taksapaguesve shqiptare, të cilat kanë shkuar edhe ato tek personat me rekorde kriminale.

Për këtë arsye janë bllokuar fondet e AZHBR-së, për shkak të hetimeve duke lënë fermerët dhe blegtorët pa ndihma, sepse paratë kërkon ti marrë vetëm qeveria”, u shpreh deputeti i PD.

Po ashtu, Salianji tha se inkurajon Prokurorinë e Posaçme që të mos rrijë në paradhomë, por të futet tek njerëzit e fuqishëm, aty ku siç tha ai qelbet peshku.

“Si ka mundësi që treçereku i bashkëpunëtorëve të Edi Ramës në bashki dhe qeveri janë sot përpara drejtësisë, ndërsa Rama dhe drejtuesit politik të tij jo.

A mund të hanë ata dardha dhe kumbulla pa dijeninë e Ramës? Ne kemi votuar konsensusin për drejtësinë e re.

Ne kemi inkurajuar që të vijë dita që SPAK të mos ndalet tek dera e njerëzve të rëndësishëm të këtij vendi, por që ta hapë derën me shkelma dhe të hyjë tek njerëzit më të fuqishëm të këtij vendi, për ti nxjerrë përpara drejtësisë dhe jo për të gjetur çdo variant për të shmangur ata që janë përgjegjës për aferat në vend.

SPAK të shkojë tek koka, aty ku qelbet edhe peshku në këtë vend,” tha Salianji.


Shtuar 31.03.2024 12:48