Salianji: Do të ketë një dorëheqje nga Basha

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka mbërritur në Kuvend me vonesë dhe në ambientet e jashtme është pyetur nga gazetarët nëse kreu demokrat Lulzim Basha do të japë dorëheqjen.

“Për fat të keq kjo krizë vjen për shkak të mungesës së besimit që qytetarët kanë personalisht te Lulzim Basha, mesa shoh unë do të ketë një dorëheqje”, tha shkurtimisht Salianji, i cili tha se në PD nuk ka vend për përjashtimin e askujt.

Edhe deputeti Arbi Agalliu ka folur për mediat, ai ka thënë se grupi parlamentar i PD-së nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar kundër Lulzim Bashës por i ka kërkuar atij që të reflektojë dhe të bëjë një hap pas, duke përfshirë dorëheqjen.

Ai deklaroi se Bashës i është lënë kohë për të marrë vendimin, në rast se nuk jep dorëheqjen, atëherë grupi parlamentar i PD-së do të veprojë sipas rregullores.

A ka iniciativë nga grupi parlamentar i PD-së për përjashtimin e Bashës? “Iu thashë edhe më parë, grupi parlamentar nuk ka marrë asnjë vendim  zyrtar. Grupi parlamentar ka kërkuar një hap pas të zotit Basha i cili më pas ka vendosur edhe dorëheqjen e tij”, tha Agalliu.

Ndërhyn gazetarja: E ka vendosur në dispozicion por nuk po e jep dorëheqjen…

“Ju thashë mos më ndërprit! Kemi bërë këto propozime personalisht unë kam kërkuar dorëheqjen dhe se kur e jep dorëheqjen Basha unë nuk e di se[se nuk është në dorën time. Grupi parlamentar i ka kërkuar Bashës që të marrë hapat në kohën e caktuar në raport me zhvillimet. Nuk ka asnjë ultimatum ndaj Bashës. Fillimisht do të presim. Nëse Basha nuk reagon në kohën e caktuar, ne do të marrim vendime dhe hapa të tjerë siç ka rregullorja”, tha Agalliu.

Ndërkohë, Basha nuk është parë në Kuvend./albeu.com


Shtuar 17.03.2022 10:59