Sali Berisha “zbulon” si u dekonspirua operacioni i SPAK: Nuk ka nevojë që t’u çosh sms me telefonin pa kartë

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se lajmi i dalë në media, se Nuredin Dumani ishte kthyer në dëshmitar të penduar të drejtësisë, shërbeu qëllimisht për dekonspirimin e operacionit të SPAK, për goditjen e grupeve kriminale.

Berisha tha se lajmi u servis qëllimisht, në mënyrë që kokat e këtyre grupeve të mund të largoheshin jashtë vendit, që të mos rrëfenin lidhjet e tyre me politikanë dhe me prokurorë të korruptuar.

“Ky është akti më madhor i dekonspirimit, të gjithë ata e dinin që kishin bërë porosi te Dumani, sigurisht që lehtë e lehtë morën arratinë dhe u zhdukën.

Askush nuk mund të thotë dhe është absurde se kjo ishte e paqëllimshme, ky njoftim është shumë i qellimshëm, pasi pas çdo bosi qëndrojnë lidhjet direkte të Edi Ramës, prokurorëve dhe policëve e kështu me radhë.

Nuk ishte rastësi kjo që ndodhi, ajo që iu servir shqiptarëve si një sukses, ishte një bllof, unë mbështes çdo akt për ndëshkimin e krimit.

Çfarë e nxori Edi Ramën dje, për të përsëritur fjalët e kreut të SPAK, çfarë e detyroi atë, e detyruan lidhjet e tij me bandat dhe krimin, asgjë tjetër. Nuk ka nevojë që t’u çosh sms me telefonin pa kartë, mjafton lajmi që Dumani është penduar, dhe t’i u ke çuar mesazh.

Kreu i SPAK deklaroi dje se Dumani nuk është i penduar, që të ruheshin bandat, kishte vetëm një rrugë, që të dilte lajmi se ai po fliste, ky është një akt shumë i rëndë kriminal, normalisht që nuk ka kush ta hetojë, sa kohë që kreu i SPAK thotë se nuk ka dekonspirim.