Sa vdekje shtesë pati Shqipëria në një vit pandemi dhe cili qytet mban rekordin

Pandemia e Covid-19, një vit pas fillimit të saj, ka dhënë pasoja fatale në rritjen e vdekshmërisë shtesë në vend.

Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT bëjnë të ditur se nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. (për të njëjtën periudhë, zyrtarisht janë 2423 vdekje Covid).

Gjatë kësaj periudhe 12 mujore (prill 2020-mars 2021) kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, nga 21.8 mijë persona në prill 2019-mars 2020, me një rritje prej rreth 42.7%.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021 janë shënuar gjithsej rreth 9,657 vdekje, me një rritje prej 55.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe me 52% në raport me mesataren 2016-2019.

Rritja e fataliteteve nisi që në tremujorin e dytë 2020 (+4.6%), pasi vendi filloi të dilte gradualisht nga karantina, u përshpejtua në tremujorin e tretë (+32.3%) dhe kulmoi në tremujorin e katërt, me një rritje prej 73% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vdekshmëria e lartë shtesë vijoi edhe në tremujorin e parë të këtij viti (+56%).

Rritja e vdekshmërisë ka qenë më e fortë në të gjitha qarqet si në tremujorin e parë 2021, ashtu dhe përgjatë një viti pandemi.

Në tremujorin e parë, rekordin e mban Tirana, ku fatalitetet u shtuan me 77.4%, e ndjekur nga Vlora, me 74%, dhe Durrësi me +72.9%, ndërsa më e lehtë pandemia ishte në Korçë, me +11%.

Në një vit pandemi (prill 2020-mars 2021), pasojat më të forta në humbjen e jetëve të njerëzve janë konstatuar në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës, me përkatësisht 32.9% dhe 29.5%, ndjekur nga Elbasani (27%) dhe Tirana 26.1%. Lehtë e ka kaluar pandeminë Vlora, me rritje prej vetëm 9.5%./monitor


Shtuar 14.05.2021 12:48