Sa kushton ndërtimi i një inceneratori në vendet e BE dhe SHBA, krahasimi me Shqipërinë

Nga emisioni VETTING:

Cili është raporti kosto-përfitim bazuar në këtë zgjedhje të qeverisë për trajtimin e mbetjeve me impiante të djegies?

Një ndër problematikat kryesore të kësaj mënyrë të menaxhimit të mbetjeve lidhet me kostot në mjedis, në rastet kur teknologjia nuk është sipas standardeve.

Qysh në nisje të procedurave për koncesionin e inceneratorëve, ekspertët e mjedisit kanë kërkuar shpjegime lidhur me nivelin e teknologjisë. Emisioni Vetting ka kërkuar administratorëve të inceratorëve informacione të detajuara që lidhen me teknologjinë e përdorur për ndërtimin e impianteve të djegies. Deri në momentin që po transmetohet ky emission, nuk ka mbërritur një përgjigje. Drejtuesit e kompanive koncesionare janë nën hetim dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtarë. Gazetarët e Vetting kanë kontaktuar disa herë drejtuesit e kompanisë që ka marrë në administrim inceneratorët pas sekuestrimit nga SPAK, këta të fundit, thonë përmes telefonit se i gjithë dokumentacioni është tashmë i sekuestruar dhe nuk kanë mundësi të sqarojnë rreth detajeve teknike.

Ka dyshime të rëndësishme që lidhen me cilësinë edhe për shkak të nivelit të investimeve që janë kryer për ndërtimin e inceneratorëve. Për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, shteti shqiptar ka investuar 22 milion euro ndërsa për Fierin buxheti i shtetit ka investuar 28 mln euro. Kapaciteti i Elbasanit ishte përcaktuar 120-140 ton mbetje në ditë. Kontrata me çelësa në dorë e kompanisë koncesionare Albtek energji me Energy Recuperator ka vlerën 15 mln euro për impiantin e incenerimit. Zhdoganimet shkojnë në shifrën 6 mln deri në 7 mln euro. Kjo do të thotë se për impiantin e inceneratorit të Elbasanit është shpenzuar vetëm kjo shumë, pra 7 milion euro. E njëjta procedurë është përdorur edhe për inceneratorin e Fierit, ku kompania koncesionare që kishte firmosur me shtetin shqiptar për 28 milion euro firmosi me energy recuperator kontratë me çelësa në dorë për 15 mln. Për zhdoganimin e materialeve për impiantin e Fierit shkojnë në 4 mln euro. Të paktën këto janë shifrat e publikuara në librat e shitje-blerjeve të kompanisë.

Në raportin e bankës Botërore, evidentohet gjithashtu se investimet kapitale dhe shpenzimet operative janë ndër më të lartat për kalimin e mbeturinave në energji në krahasim me menaxhimin e mbeturinave të formave të tjera të tilla si kompostimi, tretja anaerobe dhe vendgrumbullimet.

Sipas raportit në vendet e Bashkimit Evropian djegia e 1 ton mbetje kushton 134 usd. Ndërsa në Shqipëri, djegia e 1 ton mbetje e kushton 54€, ku vetëm 29 euro paguhen nga buxheti pra rreth 2 herë më lirë. Kjo diferencë lë vend për dyshime që lidhen me teknologjinë që është përdorur për ndërtimin e Elbasanit apo edhe të Fierit por edhe për mënyrën se si përpunohen mbetjet brenda inceneratorit.

Lidhur me këto dyshime, drejtuesit teknik të kompanisë që po administron inceneratorët, nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Farudin Arapi është njëri prej drejtuesve të kompanisë që ka marrë në administrim kompanitë e sekuestruara nga SPAK. Në përgjigje të kërkesës së Vetting për informacione, ai shpjegon përmes një telefonate se i gjithë dokumentacioni është sekuestruar.

Raporti i bankës botërore sqaron se për të menaxhuar 1 mijë ton mbetje nevojiten 56,000 USD. Kjo shumë kërkohet për një proces të menaxhimit të mbeturinave të ngurta komunale përmes ndarjes në origjinë, riciklimit, kompostimit dhe përdorimit minimal të landfilleve. Është një proces që ndodh para djegies.

Në Shqipëri këto kosto përfshihen tek shifra 54 euro për ton nga të cilat 29 euro janë investim i qeverisë . Eksperti i mjedisit flet për kosto të reja për menaxhimin e mbetjeve përmes djegies të cilat pritet të jenë shumë të larta pasi bashkitë të marrin në administrim inceneratorët./abcnews.al/


Shtuar 2.04.2022 22:32