Rusia nuk ka për t’u rimëkëmbur kurrë pas kolapsit në Ukrainë

Nga Richard Kemp “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Qershorin e vitit të kaluar – dhe ditën kur OKB-ja tha se numri i viktimave civile ukrainase ishte 9.931  deri në atë moment – unë mora pjesë në mbledhjen e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ambasadori rus po kritikonte Izraelin për operacionet e tij të fundit mbrojtëse në Gaza.

Një sulm i tillë i padrejtë ndaj Izraelit është diçka e zakonshme në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, dhe ne të gjithë jemi mësuar me hipokrizinë e Kremlinit. Por si mund ta përdorë Federata Ruse këshillin si një platformë ndërkombëtare, madje anti-perëndimore, pavarësisht se u pezullua prej tij në prillin e vitit të kaluar ?

Në parodinë e rendit ndërkombëtar që është shndërruar tashmë OKB-ja, asgjë nuk është më befasuese sesa marrja pardje nga Rusia të drejtimit të Këshillit të Sigurimit, pavarësisht se presidenti i saj është paditur në Hagë për krime lufte.

Ky moment mishëron dështimin e OKB-së, e krijuar dikur për të bashkuar fuqitë botërore në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Në fakt, ka pasur më shumë luftëra në 78 vitet që nga themelimi i saj, sesa në të njëjtën periudhë para krijimit të saj.

Këshilli i Sigurimit ka dështuar të vendosë ndonjë lloj pengese mbi përhapjen e armëve bërthamore. Përkundrazi, aleati i ngushtë i Rusisë, Irani, është tani në prag të shndërrimit në një shtet bërthamor. Ndikimi i OKB në luftën në Ukrainë, më vdekjeprurësja në Evropë që nga viti 1945, ka qenë zero.

Rreziku i presidencës ruse të Këshillit të Sigurimit, është më shumë në dukje sesa në realitet. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, mund ta përdorë platformën e tij të përkohshme për të bërë propagandë, por pafuqia e brendshme e Këshillit të Sigurimit, nënkupton se ai nuk mund të bëjë asgjë për të çuar përpara kauzën e Rusisë.

Sepse me përjashtim të Kinës, anëtarët e tjerë të përhershëm ka të ngjarë të tregojnë përbuzjen e tyre, duke e reduktuar përfaqësimin e tyre diplomatik gjatë kohës që Rusia do të jetë në krye të KS. Dhe mungesa e autoritetit të Lavrov në këshill, pasqyron margjinalizimin e vendit të tij.

Pasardhësi i një superfuqie – edhe pse keqdashëse – nuk është më sot as edhe një fuqi e madhe. Ekonomia e saj po rrënohet dhe për shkak të paaftësisë, udhëheqësi saj po çmonton sistematikisht një ushtri që dikur ishte aq e fuqishme, sa gjysmë milionë trupa amerikane qëndronin gjatë gjithë kohës në Evropë për të qenë gati për çdo të papritur.

Kriza demografike të Rusisë, kanë qenë prej kohësh një makth për Putinin. Dhe gjithçka që ka bërë ai është përkeqësimi i saj, pasi mijëra të rinj rusë janë masakruar në Bakhmut dhe sipas mediave të Moskës, mbi 700,000 të rinj janë larguar nga vendi për të shmangur mobilizimin.

Për shumë vende Rusia është një vend i përbuzshëm, teksa ka marrë fund edhe statusi i saj si një “stacion karburanti” global. Ndoshta ajo nuk do të jetë kurrë në gjendje ta rimarrë veten nga këto humbje dhe do ta ketë shumë të vështirë për t’u marrë seriozisht nga të tjerët, përveç shteteve të tjera të ngjashme që e shijojnë mundësinë për të blerë naftë dhe gaz me ulje çmimi, ose ndoshta edhe disa avionë luftarakë.

Është e vërtetë që Moska ka armë bërthamore, dhe Putin nuk e humbet asnjëherë rastin për të kërcënuar se do t’i përdorë ato. Por ai e di se Kina nuk ka gjasa të lejojë përdorimin e tyre. Dhe e gjitha kjo përmbledh më së miri honet e zymta ku e ka futur vendin e tij Vladimir Putin.

Në të ardhmen e parashikueshme, Rusia nuk do të jetë gjë tjetër veçse një vasale e Kinës. Gjatë vizitës së tij të fundit në Moskë, përbuzja që mezi fshihej nga fytyra e Xi Jinping ndaj homologut të tij, ishte në kontrast poshtërues me mikpritjen e madhe që i bëri Putin.

Ne nuk e dimë se për çfarë është rënë dakord të takimin me dyer të mbyllura. Por nëse Xi i ka premtuar Putinit armë dhe municione, siç frikësohen shërbimet sekrete amerikane, kjo ndihmë nuk do të synojë ta forcojë Moskën, por ta nxitë më tej atë që po shndërrohet në një luftë me delegim midis Kinës dhe SHBA-së.

Në fakt, Xi e inkurajoi këtë luftë me paktin e ”miqësisë së pakufishme” që firmosi në prag të pushtimit të Ukrainës nga Putin. Ashtu siç Pakti Molotov-Ribbentrop i gushtit të vitit 1939 midis Rusisë dhe Gjermanisë, garantoi sulmin e Adolf Hitlerit ndaj Polonisë.

Ndërsa po thellohet më tej varësia e Rusisë nga Kina, Putin dhe pasardhësit e tij nuk duhet të presin ndonjë favor nga Partia Komuniste Kineze.

Në shkurt, Pekini firmosi një dekret, ku pretendohet se 8 qytete ruse në Siberinë Lindore, të cilat Kina pretendon se janë të sajat, duhet të shënohen në hartat ndërkombëtare me emrat e tyre kinezë, përfshirë Vladivostokun.

Sytë e Xi Jinping mund të përqendrohen gjithnjë e më shumë në këtë mosmarrëveshje të gjatë territoriale, dhe një Rusi që ka hedhur vetën në erë, mund të mos jetë në gjendje të bëjë asgjë për këtë. /albeu.com


Shtuar 3.04.2023 12:07