Rusia kërcënoi të premten me mbyllje të ambasadës së saj në Bullgari dhe të zyrës së misionit diplomatik të shtetit evropian në Moskë, ndërsa rriten tensionet pas ofensivës ruse në Ukrainë dhe shqetësimeve për spiunazh.
Këtë javë kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se vendi i tij do të dëbonte 70 punonjës të stafit diplomatik rus, numri më i lartë i diplomatëve të dëbuar njëherësh nga shteti ballkanik.
Ambasadorja ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, tha të premten se do t’i dërgonte një peticion qeverisë ruse për të mbyllur ambasadën bë Sofje.
“Fatkeqësisht, apeli ynë ndaj ministrisë së jashtme të Bullgarisë u injorua”, tha ajo në një deklaratë të lëshuar nga ambasada.
Ajo tha se po planifikon t’i kërkojë “menjëherë” lidershipit rus që të mbyllë “ambasadën ruse në Bullgari, çka do të sillte rrjedhimisht edhe mbylljen e misionit diplomatik bullgar në Moskë”.
Ajo shtoi se përgjegjësia për pasojat e rënda të këtij vendimi janë të qeverisë së Petkovit. Kryeministri bullgar deklaroi se diplomatët rusë “kishin punuar kundër interesit tonë”.
Shumë shtete evropiane kanë dëbuar diplomatët rusë pas ndërhyrjes ushtarake të Moskës në Ukrainë, më 24 qershor, me Rusinë që iu përgjigj këtyre vendimeve me të njëjtën monedhë.
Bullgaria pret që Rusia të mbyllë përkohësisht konsullatën e përgjithshëm në veri të Bullgarisë, ndërsa Sofja do të mbyllë përkohësisht konsullatën e saj në qytetin rus të Yekaterinburgut.
Bullgaria dëboi në mars 10 diplomatë rusë pas ofensivës së Moskës në Ukrainë.
Anëtarja e BE-së dhe e NATO-s, dikur një aleate e ngushtë e Bashkimit Sovjetik nën regjimin komunist, ka ende lidhje të ngushta kulturore, historike dhe ekonomike me Rusinë.
Por një seri skandalesh spiunazhi që nga viti 2019-të kanë cënuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë sjellë dëbimin e rreth 20 diplomatëve dhe një asistenti teknik./REL