Rusia: Heqja e sanksioneve është pjesë e negociatave të paqes

Heqja e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë është pjesë e negociatave të paqes midis Moskës dhe Ukrainës, të cilat “nuk po shkojnë mirë” por vazhdojnë përmes videokonferencës në baza ditore, tha Lavrov.

Kievi paralajmëroi të premten se bisedimet për t’i dhënë fund pushtimit rus, tashmë në muajin e tretë, ishin në rrezik kolapsi. Në komentet për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, Lavrov tha:

Aktualisht, delegacionet ruse dhe ukrainase po diskutojnë në fakt një draft të një traktati të mundshëm nëpërmjet videokonferencës çdo ditë.

Ky dokument duhet të rregullojë elementë të tillë të gjendjes pas konfliktit si neutraliteti i përhershëm, statusi jo-bërthamor, jo-blloku dhe i çmilitarizuar i Ukrainës, si dhe garancitë e sigurisë së saj.

Në agjendën e bisedimeve janë edhe çështjet e denazifikimit, njohja e realiteteve të reja gjeopolitike, heqja e sanksioneve, statusi i gjuhës ruse etj.

Zgjidhja e situatës në Ukrainë do të bëjë të mundur që të jepet një kontribut i rëndësishëm në de-përshkallëzimin e tensionit ushtarako-politik në Evropë dhe në botë në tërësi.

Si një nga opsionet e mundshme, parashikohet krijimi i një institucioni të shteteve garantuese, ndër të cilët, para së gjithash, janë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

“Ne jemi për vazhdimin e negociatave, megjithëse ato nuk po shkojnë mirë”, shtoi Lavrov.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka insistuar se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë duhet të forcohen dhe nuk mund të jenë pjesë e negociatave./albeu.com