Rusia do të ndërtojë dy reaktorë bërthamorë në Hungari, autoritetet hungareze: Moment historik!

Rusia do të ndërtojë dy reaktorë bërthamorë në Hungari.

Lajmin e bëri të ditur gjigandi rus i energjisë bërthamore Rosatom, i cili tha se punimet do të nisin javët e ardhshme, raporton BBC.

Ky fakt u konfirmua gjithashtu edhe nga ministri i Jashtëm i Hungarisë. Marrëveshja, e arritur midis Rusisë dhe shtetit të BE-së në vitin 2014, synon të zgjerojë centralin bërthamor ekzistues Paks.

Industria bërthamore e Rusisë nuk i është nënshtruar sanksioneve të BE-së për pushtimin e përgjakshëm të Ukrainës. Lëvizjet për të izoluar dhe sanksionuar eksportet e saj të naftës dhe gazit nuk janë mbështetur pa kushte nga Hungaria. Paks aktualisht gjeneron 40% të furnizimit me energji elektrike të Hungarisë. “Le të fillojë ndërtimi!” tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në një postim në Facebook.

Me dy reaktorët shtesë, termocentrali bërthamor – aktualisht i përbërë nga katër reaktorë të ndërtuar nga sovjetikët – do të ketë kapacitetin e tij më shumë se dyfish. “Ky është një hap i madh, një moment historik i rëndësishëm”, tha Szijjarto në një postim në Facebook të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

“Në këtë mënyrë ne do të sigurojmë sigurinë energjetike të Hungarisë në afat të gjatë dhe do t’i mbrojmë hungarezët nga luhatjet e egra të çmimeve të energjisë.” Ai shtoi se reaktorët bërthamorë mund të jenë gati për shërbim deri në vitin 2030.