Rusia del krah Serbisë, Lavrov krahason Kosovën me Krimenë, paralajmëron konflikt të ri në Europë

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka komentuar situatën në veri të Kosovës, të cilën e ka quajtur “të  papranueshme, e tensionuar dhe shqetësuese”.

Ai ka thënë  se Perëndimi e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës edhe pse nuk ka pasur referendum, ndërsa i njëjti parim nuk është përdorur në rastin e Krimesë.

Ministri rus pretendon se Kosova e ka fituar pavarësinë e saj përmes një deklarate të “njëanshme dhe të paligjshme”, ndërsa gjithçka që BE-ja ka dakorduar me Kosovën dhe Serbinë rreth 10 vjet më parë ende nuk është zbatuar plotësisht. Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë, sepse “Perëndimi ka kaluar në anën e separatistëve”, dhe “askush nuk planifikon të bëjë asgjë” në këtë drejtim.

“Sjellja ndaj popullatës serbe, e cila këto ditë po proteston kundër marrjes së paligjshme të pushtetit në veri të “krahinës autonome”, është shqetësuese”, ka thënë Lavrov, duke shtuar se NATO është në anën e “separatistëve”.

Ai tha se vendimet e mëtejshme do t’i marrin presidenti i Serbisë, populli serb dhe serbët që po luftojnë për të drejtat e tyre në veri të Kosovës”.

Lavrov gjithashtu ka thënë se “një konflikt po lulëzon në qendër të Evropës, në të njëjtin vend ku në vitin 1999 NATO, sipas tij, kreu agresion kundër ish-Jugosllavisë.

 


Shtuar 29.05.2023 13:54