Rusët granatojnë rajonet Luhansk dhe Dnipro para evakuimit të civilëve

Rusët granatojnë rajonet Luhansk dhe Dnipro para evakuimit të civilëve

Forcat ruse qëlluan me predha në rajonet Luhansk dhe Dnipro të Ukrainës herët më 10 prill, duke goditur disa ndërtesa, thanë zyrtarët ukrainas.

Në qytetin qendror të Dnipros, një person u plagos kur një ndërtesë u godit, tha guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko.

Granatimet ndezën një zjarr që përfundimisht u shua, shtoi guvernatori.

Një shkollë dhe një ndërtesë shumëkatëshe u granatuan në qytetin Sievierodonetsk në rajonin e rrethuar të Luhansk, shkroi në Telegram guvernatori i provincës Serhiy Hayday.

“Për fat të mirë, nuk ka viktima,” tha Hayday.

Guvernatori tha gjithashtu se banorët e Luhanskut do të kenë nëntë trena më 10 prill për të dalë nga rajoni ku, sipas zyrtarëve ukrainas, granatimet janë shtuar ditët e fundit dhe më shumë forca ruse kanë mbërritur.

Ai tha se rreth 30 për qind e banorëve mbeten ende në qytete dhe fshatra në të gjithë rajonin dhe u është kërkuar të evakuohen.

Më herët, zyrtarë nga Ukraina kanë bërë të ditur se luftimet me Rusinë mund të shtrihen në rajonet Luhansk dhe Donjeck, të njohura ndryshe si Donbas.

Këto dy rajone u shpallën “republika” nga ana e Rusisë, pak para se të niste pushtimi i Ukrainës, më 24 shkurt.

Lufta në Ukrainë ka bërë që vendet perëndimore të godasin Rusinë me sanksone të rënda si dhe të ndihmojnë Ukrainën me pajisje ushtarake./REL


Shtuar 10.04.2022 11:13