Rusët bombardojnë tregun në qytetin ukrainas, të paktën 16 të vrarë, publikohen pamjet e shpërthimit të fuqishëm

Të paktën 16 persona janë vrarë nga bombardimet ruse në tregun Kostyantiniviki, qytet në lindje të Ukrainës.

Këtë e ka bërë të ditur në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Artileria dhe aviacioni terrorist rus vrau 16 persona në qytetin Kostyantinivki në rajonin e Donetskut”, ka shkruar Zelensky.

Ai shtoi se është bombarduar tregu dhe disa farmaci, ku për fat të keq numri i të vdekurve dhe të plagosurve sipas tij mund të rritet.

Kostyantinivka gjendet në afërsi të vijës së parë të frontit.

“Ky krim rus duhet të ndalet sa më parë të jetë e mundur”, shtoi presidenti ukrainas.

Deri më tani autoritetet në Moskë nuk janë deklaruar lidhur me këtë sulm vdekjeprurës.


Shtuar 6.09.2023 15:45