Rusia po përpiqet të “ngrijë” luftimet në Ukrainë gjatë dimrit, në mënyrë që të rigrupojë, rindërtojë dhe forcojë trupat e saj për një sulm të ri në pranverë, tha sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Po shohim se në këtë moment Rusia po përpiqet të imponojë një lloj ngrirjeje të konfliktit, të paktën për një kohë, në mënyrë që të mund të rigrupohet dhe të rimëkëmbet dhe më pas të përpiqet të nisë një ofensivë edhe më të madhe pranverën e ardhshme”, shtoi Stoltenberg gjatë një eventi të organizuar nga e përditshmja britanike Financial Times.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, tha se anëtarët e NATO-s vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë dhe ta mbështesin atë vend, gjë që është “e paprecedentë” pavarësisht frikës nga shterimi i mundshëm i furnizimeve të vendeve perëndimore.
“Dërgimi i armëve të reja, është po aq i rëndësishëm sa garantimi që sistemet ose armët që kemi dorëzuar tashmë janë me të vërtetë funksionale ose funksionojnë në mënyrë efektive. Ata kanë nevojë për një sasi të konsiderueshme municioni, pjesë këmbimi dhe pjesë për mirëmbajtje “, shtoi Stoltenberg.
Vija e frontit në Ukrainë është stabilizuar, që kur forcat ukrainase arritën një sukses të jashtëzakonshëm muajin e kaluar në çlirimin e qytetit të Khersonit dhe zonave përreth në bregun perëndimor të lumit Dnipro.
Luftimet më të ashpra janë përqendruar aktualisht rreth qytetit lindor të Bakhmutit, të cilin forcat ruse janë përpjekur ta kapin prej muajsh.
Shtetet e Bashkuara besojnë se luftimet mund të vazhdojnë me një “ritëm të ngadaltë” në muajt e ardhshëm, ndërsa të dyja palët përpiqen të rindërtojnë dhe rikuperojnë forcat e tyre ushtarake.