Rudina Hajdari: Qeveria e korruptuar, shqiptarët të bashkohen me PD-në

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Rudina Hajdari deklaroi sot se sondazhi i Institutit IDM Albania, konfirmoi se shumica e qytetarëve shqiptarë e konsiderojnë këtë qeveri si të zhytur në korrupsion.

Në një deklaratë për mediet, Hajdari u shpreh se një nga gjetjet kryesore të këtij sondazhi, të zhvilluar nga profesionistë dhe mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë është: 83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, ndërkohë që 83.7% e perceptojnë korrupsionin e madh apo të nivelit të lartë me një përhapje po të tillë.

“Pra 83.7 % e shqiptarëve e konsiderojnë qeverinë si të korruptuar dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Teksa shqiptari mesatar është duke u përpjekur të mbyllë muajin, mes çmimeve të rritura të mallrave, ushqimeve dhe shërbimeve, dhe pagave me të ulëta në rajon, qeveria e Edi Ramës vazhdon të paguajë miliona euro për Incineratoret që nuk ekzistojnë, për koncesione te cilat nuk i japin asnjë shërbim qytetarit; vazhdon të shpenzojë para të buxhetit për luksin dhe tekat e Kryeministrit. Sikur të mos mjaftonte kjo, qytetarëve u duhet edhe te paguajnë ryshfet për shërbimet që ofron qeveria e te cilat u takojnë me ligj, siç e konfirmon edhe sondazhi. Pasigurisë nga korruptimi qeveritar i shtohet edhe pasiguria nga krimi. Siç zbulon sondazhi 73 përqind e shqiptarëve ndihen të pasigurt për shkak të rritjes së kriminalitetit në vend. Kjo pasiguri e dyfishtë është edhe shkaktari kryesor i shpopullimit të vendit. Partia Demokratike angazhohet të përdorë të gjitha mekanizmat ligjor për tu bërë mburojë e qytetarëve, të cilët sot po vuajnë pasojat e keqqeverisjes dhe korrupsionit, edhe i bën thirrje çdo qytetari shqiptar që të bashkohet me ne, duke denoncuar abuzimet dhe marrë pjesë në protestat popullore me synim shpëtimin e vendit nga kjo klikë skandaloze”, tha ajo.

Shtuar 23.09.2022 11:17