“Rrugorja” shton kontrollet, gjatë fundjavës arrestohen 40 shoferë, hiqen 192 patenta dhe vihen 4519 gjoba (VIDEO)

Gjatë kontrolleve të fundjavës, të ushtruara nga Policia Rrugore ka arrestuar 40 drejtues mjetesh, ka pezulluar 198 patenta si dhe ka vënë 4519 gjoba.

Krahas sanksioneve administrative të vendosurave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, përgjatë fundjavës, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë goditur 3 raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, konkretisht dy raste nga Policia Rrugore e Tiranës dhe një rast nga Policia Rrugore e Dibrës.

Njoftimi i policisë:

Me qëllim përballimin e fluksit shumë të madh në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike, në drejtim të Malit të Tomorit dhe në Korçë, përgjatë fundjavës, Policia e Shtetit mori një sërë masash për garantimin e rendit e sigurisë dhe për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Si rezultat i kontrolleve të kombinuara nga Policia Rrugore, Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 40 drejtues mjetesh, nga të cilët 28 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 12 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 198 leje drejtimi, nga këto 136 për shpejtësi tej normave të lejuara, 47 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 15 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4519 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Gjatë kontrolleve parandaluese, krahas sanksioneve administrative të vendosurave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, përgjatë fundjavës, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë goditur 3 raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, konkretisht dy raste nga Policia Rrugore e Tiranës dhe një rast nga Policia Rrugore e Dibrës.

Nga Policia rrugore e Tiranës janë proceduar penalisht shtetasit  B. D. dhe P. H., të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet që kishin kryer.

Nga Policia Rrugore e Dibrës u arrestua në flagrancë shtetasi D. C.,  48 vjeç, banues në Bulqizë, pasi nga kontrolli me aparatin drager, ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.67 mg/l, dhe për të shmangur masën administrative, ka tentuar të korruptojë  punonjësit e Policisë.

Ndërkohë, në Shkodër, nga shërbimet e Policisë Rrugore të Shkodrës u arrestua shtetasi Y. H., 30 vjeç, banues ne fshatin Berdicë, Shkodër, pasi në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, duke drejtuar mjetit tip “BMW”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë së Rendit Publik për të ndaluar dhe në vijim, gjatë momentit të ndalimit nga efektivët e Policisë Rrugore, në afërsi të urës së Baçallëkut, ka kundërshtuar për shkak të detyrës, me fjalë fyese dhe veprime të dhunshme punonjësit e Policisë Rrugore.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep, se në të gjitha akset rrugore nacionale, duke filluar nga Rruga e Kombit e deri në Sarandë, ka radarë, patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike.

Policia e Shtetit, nisur nga fakti se në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve edhe përgjatë ditë së sotme, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse. /albeu.com


Shtuar 23.08.2021 16:21