Rrugorët në aksion: 7 shtetas në pranga, 22 heqje patentash (VIDEO)

Vazhdojnë aksionet e Policisë Rrugore për të parandaluar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kontrollit janë marrë masa të ndryshme nga gjobat, heqja e patentës e deri te arrestimet.

Në pranga janë vënë 7 shtetas për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe pa patentë.

Ndërkohë janë hequr 22 leje drejtimi dhe janë vendosur qindra gjoba për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve, për parkim të gabuar.

Njoftimi i policisë:

Krahas masave të shtuara për rregullimin e drejtpërdrejtë të trafikut në rrugët e kryeqytetit, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet parandaluese për konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe për disiplinimin e mënyrës së sjelljes në rrugë në raport me dispozitat e Kodit Rrugor.

Nisur nga fakti që në fundjavë ngarkesa e trafikut për shkak të lëvizjeve në hyrje-daljet e kryeqytetit është me e shtuar se ditët e tjera, apelojmë për më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri nga të gjithë përdoruesit e rrugës, kryesisht për shmangien e qëndrimeve në rresht të dytë në rrugët urbane kryesore dhe dytësore, parakalimet në zonat e kryqëzimeve, përdorimin e celularit, ruajtjen e largësisë së sigurisë midis mjeteve dhe respektimin e kufijve maksimal të shpejtësisë, si në rrugët urbane, ashtu dhe në ato interurbane.

Si rezultat i kontrolleve të alternuara:

  • Janë arrestuar 7 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur ose të papajisur me leje drejtimi;
  • Janë pezulluar 22 leje drejtimi, për alkool dhe shpejtësi mbi normat e lejuara;
  • Janë proceduar administrativisht 320 drejtues mjetesh, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve;
  • Janë proceduar administrativisht 56 drejtues motomjetesh, për kalim në zonat e këmbësorëve dhe korsitë e biçikletave;
  • Janë ndëshkuar 235 automjete të ndryshme, për shpejtësi mbi normat e lejuara, në bazë të pamjeve të adresuara nga makina inteligjente;
  • Janë proceduar administrativisht 23 drejtues automjetesh, për gara shpejtësie dhe sjellje agresive në rrugët urbane të kryeqytetit;
  • Janë proceduar administrativisht 16 drejtues automjetesh, për xhama të errësuar;
  • Janë proceduar administrativisht 876 drejtues automjetesh, për parkime të gabuara, në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, shumica në rresht të dytë.

Gjithashtu, ju informojmë se të gjitha rrugët me risk dhe jo vetëm, janë nën monitorimin e patrullave të Policisë Rrugore civile dhe të uniformuara, si dhe nga sistemet e kontrollit elektronik të shpejtësisë dhe shkeljeve të tjera.

Ndaj, KUJDESI në rrugë i shërben jo vetëm sigurisë tuaj, por shmang edhe sanksionet ligjore që “lehtësojnë” portofolin. /albeu.com/

 


Shtuar 19.11.2021 12:33