Rritja e rasteve në vend, epidemiologu bën parashikimin: Covid-19 s’do të zhduket, ai po shtohet

Epidemiologu Ilir Alimehmeti ishte i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2 CNN nga ku foli për rritjen e ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus në Shqipëri, ku ditët e fundit numri ka shkuar pranë 300 personave aktivë në 24 orë.

Epidemiologu theksoi se koronavirusi nuk do të zhduket ndonjëherë, por e rëndësishme është se çdo valë që vjen është më e lehtë, pavarësisht infektimeve që mund të jenë edhe më të larta.

“E para Covid-19 nuk ikën, nuk do të zhduket ndonjëherë. Ajo që ndryshon është përshtatje me të. Kemi një situatë ku kemi një nënvariant të Omicron, i cili në Europë ai po shtohet. Nuk janë shifrat e rasteve pozitive ku duhet ta kemi vëmendjen.

Nën varianti A5 i Omicron është aktualisht aktiv dhe së shpejti do të bëhet dominante. Kjo nuk është diçka e re, pasi kjo valë ka nisur në Afrikën e Jugut, nga ku shihet se shkalla e shtrimeve në spital nuk është rritur. Kemi edhe Portugalinë, ku situata ishte e njëjtë.

Edhe në Shqipëri presim rritje, por jo që të çojë në situata që kemi pasur në vitet e kaluara. Çdo valë është më e butë, nuk mund të krahasohemi me variantin Delta”, tha Alimehmeti.

Epidemiologu dha lajmin e mirë se Covid do të kthehet në një virozë standarde, por se kur do të ndodhë kjo nuk dha një përgjigje.

“Ne nuk na interesojnë thjesht rastet pozitive sepse do të kthehet te ato virozat standarde, që në mënyrë të vazhdueshme, herë pas here do e rizgjojë imunitetin, do të jesh pozitiv, por nuk do të shkaktojë sëmundje të rëndë, që është më e rëndësishmja. Kur do të ndodhë që Covid do të futet në virozat standarde, për këtë nuk kemi një përgjigje.