Enkelejd Alibeaj mendon se rritja e pagave të deputetëve është edhe një mjet që u siguron atyre pavarësinë dhe imunitetin ndaj korrupsionit.
Në një intervistë për Euronews, ish-kryetari i komanduar i PD-së tha se deputetëve opozitarë nuk duhet t’ju vijë turp që të paguhen në propocion me pozicionin që ata kanë.
“Nuk duhet të kemi turp dhe nuk duhet të kenë turp sidomos deputetët e opozitës që për shkak të gjithë nevojave dhe kërkesave që kërkon për të ushtruar detyrën e deputetit të kërkojnë një mbështetje financiare në propocion me detyrën që kanë.
Por më mirë një deputet i paguar propocionalisht, por jo hajdut, se sa një deputet hipokrit që bën sikur nuk i do paratë, por nga ana tjetër shtrin duart. Sinqeriteti vlerësohet më shumë.”
Alibeaj tha se kjo vlen më shumë për deputetët e opozitës, ndërsa për deputetët që thanë se kjo rritje pagash është më shumë se ç’duhet, Alibeaj tha se kjo është një mendësi bolshevike.
“Deputetë të cilët bëjnë si komunistët e një herë e një kohe; “I pari në sakrifica dhe i fundit në privilegje”, kjo është mendësi bolshevike. Duhen thënë gjërat hapur dhe nuk duhet abuzuar me financat, por deputetët nuk duhet të kenë asnjë tundim për të rënë pre e joshjeve. Ky është mjet i pavarësisë dhe imunitetit ndaj korrupsionit për deputetët e opozitës”, tha Enkelejd Alibeaj./Albeu.com/