Rritja e çmimeve, Rama: Duhet të jeni më mirëkuptues dhe mos bëni krahasime pagash me Europën

Kryeministri Edi Rama, në komunikimin live me qytetarët, ka folur në lidhje me rritjen e çmimeve, ku tha se nuk është në dorën e qeverisë, pasi jemi në inflacion lufte. Ai u kërkoi qytetarëve të jeni mirëkuptues.

“Sikur të ishim në një situatë ku jemi vetëm ne, do thoja se diçka nuk shkon me mua dhe qeverinë. Inflacionin e ka sjellë lufta dhe është kudo. Ne po bëjmë çmos ta lehtësojmë barrën, duke hedhur si asnjëherë më parë para për të gjitha shtresat. Për herë të parë në histori kemi indeksuar dy herë pensionet. Kemi rritur mbështetjen financiare dhe pagat.  Të gjitha këto kanë si qershi mbi tortë mbështetjen buxhetore çmimin e mbrojtur të energjisë. Ky është një moment ku të gjithë bashkë duhet të jeni mirëkuptues, sepse çmimet dhe inflacionin nuk e rrit qeveria”, tha kreu i qeverisë.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/823203968696141/

Rama gjithashtu u shpreh se kurrsesi nuk duhet të krahasojmë pagat e vendeve të Europës me tonat, pasi janë në përputhje me shpenzimet.

“Mbi të gjitha, mos të bëjmë krahasime me Europën. Vërtet kanë pagat e larta, por shijoni sa i kanë taksat dhe shpenzimet. Shikoni sesa shumë revoltë dhe shqetësim ka. Nuk është askund rozë, sepse jemi në një krizë botërore dhe jemi përballë inflacionit të luftës”, tha kryeministri./albeu.com


Shtuar 1.10.2022 10:15