Të dhënat e INSTAT nga tregtia e jashtme, tregojnë se në 11 mujorin e 2023 importet e ushqimeve në sasi pësuan rritje vjetore me 8.5%, teksa eksportet e ushqimeve në sasi mbeten në vendnumëro me rritje vetëm 0.7%.
Gjatë 11 -mujorit importet e ushqimeve ishin 2.8 herë më të larta se eksportet, teksa në të njëjtën periudhe të vitit 2022 ky raport ishte 2.6%.
Tkurrja e prodhimit në njërën anë dhe rritja e kërkesës nga prurjet e mëdha turistike po rigjenerojnë kanalet e importit, të cilat me gjasë mund të ndikojnë në dobësimin e mëtejshëm të prodhimit.
Në disa kategori, sidomos në bulmet importet shpesh po vijnë me çmime konkurruese me prodhimet vendase.
Kjo konkurrencë ndihmohet edhe nga një mendësi e konsumatorëve shqiptare, që besojnë më shumë të produktet e huaja se tek ato të vendit.
Përgjatë dekadës së kaluar eksportet e prodhimeve shqiptare në sasi janë rritur me shumë se importet.
Kjo ecuri është ndihmuar nga zgjerimi i investimeve në kanalet eksportit, grumbullim, magazinim dhe transport.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve hendeku në tregtinë e jashtme të ushqimeve, u reduktua ndjeshëm.
Në vitin 2012 importet e ushqimeve ishin 6 herë më të larta se eksportet, ndërsa në vitin e kaluar 2.6 dhe këtë vit 2.8.
Turizmi po shikohet si nxitës për prodhimin vendas, por mungojnë politikat që ndërmjetësojnë bashkëveprimin e sektorëve.
Të dhënat të INSTAT, tregojnë se prodhimi në bujqësi ka rënë në një trend rënës të qëndrueshëm në dy vitet e fundit i paprecedentë për periudhën e tranzicionit.
Sakaq zonat rurale të Shqipërisë kanë potencial të madh për turizëm të qëndrueshëm, por ky potenciali ende nuk është shfrytëzuar plotësisht dhe as i lidhur me sektorë të tjerë të ekonomisë lokale, si p.sh bujqësia dhe përpunimi i produkteve tradicionale dhe tipike për të mbështetur agroturizmin.
Turistët i kanë vënë në presion restorantet për receta të bazuara në produkte lokale, por nga ana tjetër bujqësia po vuan nga mbështetja e ulët buxhetore, bllokimi i fondeve nga BE, reduktimi i fuqisë punëtore, kostot e larta të punës dhe inputeve dhe mungesa e këshillimit dhe orientimit.