Rritet me 27 mijë kontribues skema e pensioneve/ Kush e zë ndikimin më të madh

Pas një deficiti të përsëritshëm disavjeçar që vetëm sa vinte e rritej me kalimin e viteve, skema e pensioneve duket sikur po fiton qëndrueshmëri.

Këtë e thonë të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore të akumuluara gjatë vitit 2023, sipas të cilëve skemës i janë shtuar 27.521 kontribuues të rinj, krahasuar me 2022-shin, duke e çuar numrin total në 783 mijë.

Në shifrën e fundit përfshihen subjektet publike, private, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe sigurimet vullnetare.

Megjithatë, në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2023, vihet re një humbje prej 6 mijë kontribuesish.

E ndarë sipas subjekteve, peshën më të madhe me afro 47.7 % e zënë kontributet nga subjektet private, 17.4% institucionet buxhetore, 16.9% të vetëpunësuar dhe 9.1 % të vetëpunësuarit në bujqësi.

Ndikimin më të madh në numrin e shtuar të kontribuuesve, e zënë fermerët dhe subjektet private, përkatësisht me afro 13.381 mijë dhe 9334 individë më shumë.

Ky trend pozitiv në rritjen e kontribuesve, por nga ana tjetër edhe rritja e pagës minimale dhe maksimale mbi të cilën paguhen detyrimet e të punësuarve, kanë ndikuar edhe vjeljen e më shumë të ardhurave nga skemën e sigurimeve shoqërore, duke ulur rrjedhimisht deficitin.

Konkretisht të ardhurat nga kontributet e drejtpërdrejta në skemën e sigurimeve shoqërore nga subjektet juridike dhe fizike, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe sigurimi vullnetar janë rritur me 18.7 miliardë lekë në 6 mujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në total janë arkëtuar afro 122.6 miliardë lekë.

Subvencioni i skemës nga buxheti i shtetit në vitin 2023 regjistrohet në 14.6 miliardë lekë, me një ulje prej 8.3 miliardë lekësh.

Për shkak të tepricës së krijuar nga ISSH prej 7.9 miliardë lekësh në të ardhura, qeveria rishikoi një muaj më parë buxhetin, duke bërë rishpërndarje të fondeve.

Në analizën vjetore të punës së ISSH-së dy ditë më parë ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, u vu theksi pikërisht tek përmirësimi i mëtejshëm i performancës financiare, qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si dhe tek aplikimi i zgjidhjeve novatore, që do të përmirësonin ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas saj, reforma e pagave, që po vijon të ndërmerret nga qeveria shqiptare, ka dhënë efekte në përmirësimin e ndjeshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.

Sipas të dhënave të ISHSHsë, për herë të parë deficiti i skemës zbriti poshtë 1% të PBB-së edhe në vlerë absolute. Nga ana tjetër, edhe numri i kontribuesve u rrit me 3.6% në krahasim me vitin 2022.


Shtuar 5.04.2024 08:38