Kostot e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas, pritet të arrijnë në total 129 milionë euro, sipas të dhënave të fundit nga Komuniteti i Transportit. Shtrenjtimi i çmimeve të tregut dhe disa punime të tjera shtesë, kanë ndikuar në rritjen e kostove.
Komuniteti i Transportit njoftoi se në tremujorin e katërt të 2023, Shqipëria kërkoi kosto shtesë nga Komponenti i Huasë (BERZH), për të mbuluar tre komponentë shtesë:
1-Rregullimi i çmimit i Kontratës së Punës për shkak të rritjes së çmimeve të tregut (29 milionë euro);
2-Ndërtimi i një stacioni të ri përgjatë segmentit ekzistues (11,5 milionë euro);
3-Projekti i zgjerimit të infrastrukturës hekurudhore 4 km nga hyrja e Tiranës në Qendrën e Tiranës (16.1 milionë euro).
Komuniteti i Transportit, në të dhënat e fundit për projektin, raportoi se linja e degës së Aeroportit të Rinasit është në vazhdim e sipër.
Punimet fizike që po kryhen në terren, kanë përfunduar në 60 për qind të tyre. Kontrata e ndërtimit u aktivizua në mars 2021, ndërsa ndërtimi filloi në nëntor 2021.
Projekti po zhvillohet me mbështetjen kryesore të Bashkimit Europian.
BE ka financuar projektin me një grant investimi prej 35.5 milionë eurosh dhe Agjenda e Lidhshmërisë për Ballkanin Perëndimor, si dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhanë një kredi prej 36.9 milionë euro, në një total prej 72.4 milionë eurosh.
Duke shtuar dhe koston e tre komponentëve të kërkuar (të përmendur më sipër), që së bashku arrijnë në 56.6 milionë euro, totali arrin në 129 milionë euro.
Komuniteti i Transportit sqaroi se; kontrata ekzistuese do të pasurohet dhe plotësohet me të gjithë komponentët që mungojnë, përveç elektrifikimit të linjës hekurudhore si komponenti i fundit që do të përcaktohet sërish përmes mbështetjes së BERZH-it, por me një kërkesë tjetër të veçantë.
Si pjesë e kësaj kontrate, mbi 34,3 km të linjës ekzistuese hekurudhore ndërmjet pikës hyrëse te Tiranës dhe Portit të Durrësit është duke u rehabilituar.
Një segment i ri 6.4 km i gjatë po ndërtohet për të lidhur qytetin e Tiranës me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Ky projekt ka qenë identifikuar si një nismë kryesore e Planit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, të cilin Komisioni Europian e publikoi në tetor 2020.
Rehabilitimi dhe ndërtimi i linjës hekurudhore 40,7 km pritet të ketë përfunduar deri në fund të 2024.
Projekti përputhet me të gjithë treguesit e rrjetit kryesor të hekurudhave Europiane TEN-T, me përjashtim të elektrifikimit, i cili është planifikuar për fazën e dytë të projektit.
Kostoja e përgjithshme e parashikuar e linjës së re do të arrijë në 129 milionë EUR, pa komponentin të fundit – elektrifikim, thekson BERZH.
Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, kanë filluar në nëntor 2021, kur nisi edhe zhvendosja e shinave të vjetra.
Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro.
Linja e re e konstruktuar e Tiranë-Durrës, do të kalojë mbi linjën e vjetër, ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re./MONITOR