Rritet çmimi i bukës, Zusi: Ministria të thërrasë prodhuesit, duhet mekanizëm për shtresat në nevojë

Për kreun e Shoqatës së Përpunuesve Alban Zusi, rritja e çmimit të bukës është një lëvizje që nuk prek vetëm Shqipërinë, por shtoi si ministria është në kohë për të thirrur prodhuesit në mënyrë që të bëhet një përllogaritje.

Zusi theksoi në këto vite kanë ndodhur rritje të pagave, taksave dhe produkteve të tjera, gjë e cila mund të ketë sjellë edhe rritjen e çmimit të bukës. Por ai hodhi poshtë pretendimin e disa prodhuesve që e lidhin këtë me rritjen e çmimit të miellit.

“Drithërat lëvizin në mënyrë ciklike. Nuk është lëvizje vetëm për Shqipërinë. Nuk është hera e parë që ndodhin lëvizje kaq të larta. Për të prodhuar një bukë, rritja reale nuk është më shumë se 2 deri 2.5 lekë të reja ose 25 lekë të vjetra. Institucionet publike duhet të bënin atë që unë kam bërë para 7 vitesh kur patëm të njëjtën situatë.

Kemi gati 10 vite që nuk kemi rritje të çmimit të bukës. Kanë ndodhur rritje të pagave, taksave dhe produkteve të tjera të cilat munden të kenë krijuar nevojën për rritjen e çmimit të bukës. Nëse do e justifikojmë me miellin është totalisht e pajustifikuar.

Sot është bërë fakt i kryer. Unë mendoj se jemi në kohë për të thirrur prodhuesit dhe për të bërë një përllogaritje dhe për të parë sa është impakti. Nuk besoj kurrsesi që për shkak të rritjes së miellit të kemi rritje 10 lekë të çmimit të bukës. Nëse do kemi rritje me 20 lekë është shumë shqetësuese. Flasim për produkt që është bazik. Është një nga produktet që për një përqindje të madhe të popullsisë është bazik”, tha ai.

Zusi shtoi se ka një mungesë të fleksibilitetit me prodhuesit duke shtruar nevojën e ndërtimit të mekanizmave për të mbrojtur shtesat në nevojë.

Dikush mund të përdorë edhe një formë tjetër duke prekur sasinë në mënyrë të fshehur dhe kjo është e pandershme. Ka mekanizma për ta bërë këtë lloj verifikimi. Me prodhuesit e bukës duhet bërë edhe një diskutim i hapur se çfarë do ndodhë kur çmimi në bursë të jetë në ulje. Ky çmim buke është që në vitin 2010, i njëjti çmim kur çmimi i miellit ka rënë.

Kemi mungesë të fleksibilitetit nga prodhuesit. Duhet të fillojmë të ndërtojmë mekanizma për të mbrojtur shtresat në nevojë. Kam përshtypjen se nuk ka një rregullim. Nuk është shumë e vështirë për ta bërë. Mbledh një ekip ekspertësh. Bëj një konsultim me palët. Mekanizmi mund të krijohet. Ne ende taksojmë një kg bukë siç taksojmë një varëse floriri”, tha Zusi.


Shtuar 7.09.2021 20:47