Rriten sërish rastet me Covid në gjithë botën, frikë nga nënvarianti i Omicron

Në zemër të verës, Covid-19 po kthehet sërish në një problematikë në Francë dhe vende të tjera, pasi shënohet një rritje e rasteve, e cila deri tani është e vogël, por kërkon vigjilencë.

Ringjallja e epidemisë raportohet gjithashtu në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, por edhe Indi dhe Japoni.

Ndërsa ishte jashtë mendjes së shumicës pas më shumë se tre vjetësh dhe disa valëve të pandemisë, virusi SARS-Cov-2 është rikthyer së fundmi në mendjet e disa francezëve. Dhe disa tregues konfirmojnë këtë kthim.

Në departamentet e urgjencës spitalore, mbërritjet me Covid-19 të dyshuar u rritën me 31% në javën nga 31 korriku deri më 6 gusht krahasuar me javën e kaluar dhe rastet arritën në 920, sipas të dhënave nga shërbimi shëndetësor publik francez.

“Numrat mbeten të vegjël”, tha agjencia. Valët e verës apo dimrit 2022 u shoqëruan nga më shumë se 4000 vizita spitalore në javë për këtë arsye.

Gjithashtu “operacionet mjekësore me të dyshuar Covid-19 janë rritur në të gjitha moshat” dhe arritën në më shumë se 1,500 në fillim të gushtit, një rritje prej 84% në një javë, sipas agjencisë franceze të shëndetit publik.

Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e konsideron më pandeminë një emergjencë shëndetësore globale që nga fillimi i majit, “virusi vazhdon të qarkullojë në të gjitha vendet, vazhdon të vrasë dhe të ndryshojë,” vuri në dukje drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom të mërkurën gjatë një konference per shtyp.

Versioni EG.5 i virusit, i quajtur Eris nga disa shkencëtarë, tani është ai që shikohet më nga afër, sepse mund të çojë në një rritje të re të rasteve. Grumbullimet e verës dhe rënia e imunitetit gjithashtu mund të luajnë një rol, sipas disa ekspertëve.

Ky nënvariant i familjes Omicron duket të jetë më ngjitës se të tjerët në qarkullim – ndoshta për shkak të mutacioneve të reja gjenetike – dhe mund të jetë më në gjendje të shmangë mbrojtjen imune.

“Ne e kemi identifikuar atë në Indi, por edhe në vende të tjera aziatike, në Amerikën e Veriut, në Evropë, ku tenton të zëvendësojë llojet e mëparshme dominuese”, tha për AFP Antoine Flaut, drejtor i Institutit Global të Shëndetit të Universitetit të Gjenevës.

Në këtë fazë, “provat e disponueshme nuk tregojnë se EG.5 paraqet rreziqe shtesë për shëndetin publik në krahasim me variantet e tjera të Omicron në qarkullim”, sipas OBSH-së.

Megjithatë, mbetet rreziku që të shfaqet një variant më i rrezikshëm dhe të shkaktojë një rritje të papritur të rasteve dhe vdekjeve, kujtoi Tedros.


Shtuar 11.08.2023 13:25