Rrezikoi të mbytej në pishinë, vajza në gjendje të rëndë, djali që e shoqëronte nuk ndërhyri, procedohet Ylli Hidri

Një 25-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi rrezikoi të mbytej ditën e djeshme në një pishinë në periferi të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në restorantin “Markata e Peshkut” në zonën e Linzës, që administrohet nga Ylli Hidri.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije për abcnews.al se janë njoftuar ditën e djeshme në orën 18:00 se në ambientet e pishinës së restorant “Markata e Peshkut”, E.Trungu ka qenë duke u mbytur. Më pas grupi hetimor është nisur në vendin e ngjarjes. Nga veprimet ka rezultuar se e reja ka qenë nën shoqërinë e një 33-vjeçari. Në momentin që 25-vjeçarja ka rrezikuar të mbytet në ambientet e pishinës nuk ka qenë asnjë anëtar i stafit apo përgjegjës i pishinës për t’i ardhur në ndihmë.

Për rrjedhojë është proceduar penalisht administratori Ylli Hidri. Ky i fundit akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. Hidri nuk ka caktuar përgjegjës për pishinën. Në një njoftim mbi ngjarjen Policia e Shtetit bëri të ditur se administratori është shpallur në kërkim.

Në gjendje të lirë është proceduar po ashtu edhe i riu që ishte nën shoqërinë e vajzës. Sipas prokurorisë edhe pse ka qenë me të renë, me mosveprimin e tij ai nuk i ka dhënë ndihëm e parë 25-vjeçares.

E reja ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë dhe burime bëjnë të ditur se gjendja e saj është e rënduar, pasi ndodhet në repartin e reanimacionit. /abcnews.al


Shtuar 23.08.2022 10:26