Rrëshqitje dherash në Gjeorgji, 6 të vdekur dhe 30 të zhdukur

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu në rajonin malor Ratsa në veriperëndim të Gjeorgjisë, njoftuan sot autoritetet e vendit.

Dy trupa janë gjetur pas rrëshqitjes së dheut që ndodhi dje, të enjten, pas reshjeve të dendura në këtë rajon ku ka shumë resorte dhe katër të tjerë sot, njoftoi Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë në dy njoftime të veçanta.


“Në zonën e fatkeqësisë, në bashkinë Oni, ekipet e shpëtimit vijojnë punën pa ndërprerje. Deri më tani, gjashtë trupa janë nxjerrë gjatë operacioneve të kërkimit ”, tha ministria në një deklaratë në Facebook.

Nga ana e tij, ministri i Infrastrukturës Irakli Karselatze, i cili shkoi në vendngjarje, foli për rreth 30 persona të zhdukur.

“Për momentin, janë 35 persona që nuk mund të kontaktohen ,” tha ai, sipas mediave gjeorgjiane.

Kryeministri Irakli Garibashvili mbërriti sot në zonën e katastrofës, sipas një deklarate nga qeveria gjeorgjiane.

Rrëshqitja e dheut ndodhi dje pas shirave të rrëmbyeshëm prej disa ditësh pranë një hoteli në Sovi, një destinacion i vogël turistik në malet e rajonit Ratsa.

Rrëshqitja e dheut ka shkaktuar dëme në banesa, linja elektrike, rrugë dhe ura. /Albeu.com/


Shtuar 4.08.2023 14:45