“Rrëmbyen në mënyrë mafioze kandidatin tonë”, Meta reagon për arrestimin e Belerit: E gjithë Himara të ngrihet në këmbë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit  “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri.

Meta e ka cilësuar “rrëmbim mafioz” arrestimin e kandidatit të tij dhe Berishës, ndërsa shton se SPAK nuk vepron ndaj dhjetëra Kryetarëve të Bashkive, që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë.

Më tej meta bëri thirrje për qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit për të votuar masivisht dhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i Metës:

Pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje!

Ky ështe ilaçi ndaj një Kryeministri dhe një regjimi, që po jep shpirt dhe të tmerruar nga vota e lirë.

Ndërsa SPAK nuk vepron ndaj dhjetëra Kryetarëve të Bashkive, që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë, pas sulmeve të paramenduara dhe të inskenuara të Kryeministrit delinkuent, rrëmbehet pas mesnate në mënyrë mafioze
Kandidati për Kryetar i Bashkisë në Himarë.

Të gjithë qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit për të votuar masivisht dhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare Kryeministrit, grabitësit dhe shkatërruesit më të madh për qëllime mafioze të pronave në Himarë dhe gjithë bregdetit të Jugut nga Vlora deri në Ksamil.

 

Kujtojmë se Beleri u arrestua pak pas mesnate para lokalit të tij bashkë me 3 persona të tjerë, avokati, dhe përfaqësues të shtabit elektora, me urdhër të SPAK-ut, nën akuzën për blerje votash.

Belerin e kanë shoqëruar efektivë të SPAK, në drejtim të komisariatit, më pas ai u transferua në Vlorë. Sakaq akuzat ndaj tyre, ata i kanë mohuar.


Shtuar 12.05.2023 11:11