Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme më parë në fshatin Krekëz të Kuçovës.
55-vjeçari Idajet Veizllari ka rrahur bashkëshorten e tij, duke e lënë pa ndjenja në tokë.
Ulërimat e gruas kanë tmerruar familjarët e komshinjtë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe spitalin por në kushte të rënda shoku, 55-vjeçari Idejat Veizllari ka pirë një kokërr “fostoksinë”, duke tentuar vetëhelmimin.
Besohet se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje familjare arsyet e të cilës nuk dihen ende.
Të dy bashkëshortët janë transportuar në gjendje të rëndë drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gruaja është e shtruar dhe me plagë të shumta për shkak të goditjeve të marra, ndërkohë që 55-vjeçari është nisur në gjendje kritike për jetën drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Mjekët e Spitalit të Beratit kanë deklaruar se sasia e helmit të marrë nga Veizllari kishte depërtuar në gjak dhe kjo e çoi pacientin në gjendje kritike për jetën.
Në Spitalin e Beratit por edhe në banesën e çiftit Veizllari kanë shkuar forca të shumta policie, që po pyesin edhe të afërm e familjarë në lidhje me ngjarjen e rëndë, shkaqet e të cilës nuk dihen ende./albeu.com/