Dëshmia e babait të Amelias që u mbyt sot në det në plazhin e Korinthit në Greqi nuk përputhet me ato të të pranishmëve, të cilët theksojnë se vogëlushja shqiptare ishte futur vetëm në det dhe i ati ishte duke ngrënë në një tavernë disa qindra metra më tej.
Ndërkohë, mediat greke kanë zbardhur fjalët e para të nënës së Amelias, e cila është e shkatërruar nga tragjedia që i ndodhi.
Ajo thekson se i ati rrinte me vajzën sa herë që nuk ishte në punë, ndërkohë që shprehet se marrëdhëniet mes tyre ishin shumë të mira.
Ndërkohë, halla e vajzës shprehet për mediat lokale se nuk e beson se vëllai i saj të ketë qenë i pranishëm teksa mbytej vajza dhe të mos e ndihmonte, raporton abcnews.al.
“Nuk e di, nuk e di… Nëse vëllai im ka qenë aty dhe nuk e ka ndihmuar fëmijën..nuk e besoj dot këtë gjë. Ai do ta kishte ndihmuar patjetër”, shprehet ajo teksa shton: “Ai ka astmë prej vitesh, por s’besoj se kjo do ta ndalonte të ndihmonte fëmijën”.
Çfarë thotë ai që nxorri trupin:
Pavlos Bounas, ka qëndruar në faktin se babë e fëmijë po hanin shumë larg vendit ku ndodhi mbytja dhe se kur babai u kthye rrobat e tij ishin të thata. “Nuk arrij ta kuptoj si mundet që një prind që e di se fëmija i tij ka ngrënë, ta marrë atë për t’u larë. Nuk e kuptoj gjithashtu se përse duhej të ngiste makinën 6-7 kilometra larg për të ardhur në një plazh ku nuk ka njerëz ndërkohë që më para kishte shumë plazhe të tjera. Plazhet e tjera kishin njerëz që mund të kishin ndihmuar për të shpëtuar fëmijën”, tha fillimisht Bunas duke theksuar se e kishte parë vajzën të kishte marrë një ngjyrë si blu kur e nxori nga deti, ndërsa nuk dinte se sa kohë kishte patur ajo në ujë.
“Nga varka pash burrin fillimisht dhe më pas fëmijën. U afrova dhe i thirra edhe gruas sime. U futa në ujë dhe e nxora fëmijën. Kur e nxora ishte blu. Pastaj filloi të nxjerrë ujë dhe ushqim. I bëra disa herë masazh në gjoks, por nuk munda të rikthej në jetë”, tha ai.
“E kemi nxjerrë fëmijën me rroba. Rroba normale, pantallona të shkurtra, bluza, sandale që fëmija i merr për shëtitje, në shkollë, në këndin e lojërave”, tha ai më pas.
“Babai i fëmijës nuk ishte aty, nuk kishte as një të afërm të fëmijës, asgjë, askush”, tha ai.
Rrëfimi i babait
Babai i vajzës fatkeqe 6-vjeçare ka dhënë shpjegimet e veta për ngjarjen para policëve, ndërsa u lirua më pas me kusht.
Ai u shpreh: Të hënën mora Amelian në 11 të mëngjesit për të notuar. Fillimisht dolëm për një shëtitje dhe pastaj hëngrëm hell. Amelia hëngri gjysmë salçice dhe pak byrek. Kur mbaroi kërkoi të shkonte në det. Unë i thashë që nuk kemi rroba banje, sepse bashkëshortja kishte harruar ta fuste në gjërat e saj, por vajza këmbënguli, kështu që u binda.
“Nuk e mendoja se do të ishte problem që sapo kishte ngrënë, sepse sasia ishte e vogël. Arritëm në plazh dhe u futëm në det. Amelia me rrobat dhe këpucët e saj, sepse kishte iriq deti”, shtoi ai.
“Ne notuam deri te varka, e cila ishte ankoruar rreth dhjetë metra larg bregut. Atje deti është rreth 3 metra i thellë. Nuk ishte hera e parë që e bënim këtë. Atë ditë , hipa në varkë me njërën dorë dhe u përpoqa të tërhiqja vajzën time me dorën tjetër. Por ajo më rrëshqiti dhe filloi të zhytej në ujë. Më zuri paniku. Nuk mund të zhytesha, sepse kam astmë dhe nuk mundem të mbaj frymën”, shtoi ai për momentet e fundit të 6-vjeçares.
“Unë bërtisja për ndihmë, por nuk kishte njeri përreth. Dola me not për të thirrur ndihmë në celular, por kur arrita te biçikleta, kuptova se nuk kisha bateri. I hutuar, mora motorin dhe vozita dy kilometra deri në shtëpinë time ku mora policinë. Siç mora vesh ndërkohë më kishin gjetur vajzën të vdekur në det”, ka përfunduar babai i vajzës fatkeqe. /abcnews.al