Roan Brahimi në hasmëri me 1 familje në Lezhë dhe i dyshuar në disa atentate, e kaluara e errët e mikut të Rrajës e Plaurent Dervishajt

Vrasja e 32-vjeçarit Shqiptar Roan Brahimi tronditi Athinën, ku pamjet e trupit të pajetë të tij, zunë faqen e parë të mediave helene.

Atentati mafioz i kryer nga dy persona që janë afruar me motor dhe më pas kanë qëlluar në lëvizje Brahimin, ka angazhuar në veprime hetimore dhe policisë shqiptare, e cila ka asistuar me informacion policinë e Athinës.

Brahimi kishte udhëtuar nga Dubai në drejtim të Athinës, për të festuar pashkët me djalin e tij, por lëvizjet kanë rënë në sy të kundërshtarëve, të cilët e kanë monitoruar më së miri.

Emri i Roan Brahimit ndodhet në kartotekat kriminale të policisë, si i dyshuar në disa ngjarje të rënda nga dy atentatet ndaj Ylli Brahimit, vrasjen e Manecit, hasmërinë e gjakmarjes me familjen Gjeloshi në Lezhë dhe deri tek dyshimet për pjesëmarjen e tij tek masakra e mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Diklen Vata, Briland Martinaj dhe Besmir Hoxha.

Për herë të parë emri i Roan Brahimit u lançua në media nga ish-Drejtori i Policisë së Lezhës, Olti Bistri, i cili gjatë një njoftimi në muajin dhjetor 2021 tha se kishte shpallur në kërkim Roan Brahimin, Ramazan Rrajën, nipin e ish-deputetit të PS Rahman Rraja dhe Alesio Dobruzin si autorët e terrorit të ushtruar me armë zjarri në ambjentet e një bilardoje.

Tre personat ikën me shpejtësi nga Rinasi në drejtim të Dubait, duke mos u arrestua nga policia. Ndërsa pak muaj më vonë çështja kundër tyre pushohet në prokurorinë e Lezhës.

Hetuesit në Shqipëri thonë se vrasja e Roan Brahimit, vjen si pasojë e një sage eliminimesh fizike, që ka nisur qysh prej vitit 2014 në qytetin e Lezhës dhe konflikti vijon të qëndrojë i hapur, duke marrë jetë njerëzish.

Pista kryesore e ekzekutimit të Brahimit në Athinë lidhet me një histori të vjetër gjakmarrje, mes dy familjeve Prendi dhe Gjeloshi.

Sipas Ora News, në vitin 2014, poshtë urës se vjetër të Milotit, është vrarë në atentat Taulant Prendi dhe Klodian Ndreca, ndersa u plagos rëndë Aurel Prendi. Taulanti dhe Aureli, ishin dy djemtë e xhaxhait të Roan alias Sildi Brahimit.

Ndërsa pista tjetër, lidhet ngushtë me aktivitetin e tij kriminal në Shqipëri, i cili në këtë periudhë “lundronte” mes miqësisë së Ramazan Rrajës në Fushë-Krujë aktualisht në burg për trafik kokaine dhe Plaurent Dervishaj nga Durrësi, që prej disa vite jeton në Dubai si person në kërkim nga SPAK.

Roan alias Sildi Brahimi, është djali i xhaxhait të gruas së Ylli Brahimit, njeriut të Ervis Martinaj. Ylli Brahimi, i ka shpëtuar dy atentateve të bujshme në zonën e Milotit.

Në këto dy atentate Ylli Brahimi mbeti i plagosur rëndë, ndërsa miku i tij Klisman Preçi, mbeti i vrarë në vend. Në të dyja rastet është hetuar dhe dyshuar nga policia kriminale Roan alias Sildi Brahimi si organizator dhe autor i dy atentateve, për shkak të një mosmarëveshje që dy krushqit, kishin për tregtinë e drogës në Itali.
Mësohet se Roan Brahimi, miku i ngushtë i Ramazan Rajës, është dyshuar dhe marë në pyetje edhe për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Arben Manecit në Durrës, i cili ishte mik i Landi Muharremit (Rrumit).


Shtuar 10.05.2024 13:22