Riorganizimi i gjykatave do të rrisë cilësinë e gjykimit të çështjeve

Harta e re gjyqësore është mbështetur nga Shoqata e Gjyqtarëve, pasi sipas nënkryetarit të saj, z. Engert Pëllumbi, nuk e pengon aksesin në drejtësi, kursen burimet financiare dhe ul kostot për gjykatat.

Z. Pëllumbi thotë se për riorganizimet e gjykatave është marrë modeli i vendeve, si: Portugali, Itali, Danimarkë, pasi u pa se gjykatat me numër më të madh gjyqtarësh janë më eficiente dhe cilësore në drejtim të gjykimit të çështjeve.

Z. Pëllumbi, çfarë do të thotë një hartë e re gjyqësore për Shqipërinë, si do t’i shërbejë kjo drejtësisë shqiptare?

Pushteti gjyqësor në Republikën e Shqipërisë është i organizuar në gjykata të juridiksionit të përgjithshëm, gjykata administrative, gjykata të posaçme, si dhe në Gjykatën e Lartë.

Aktualisht kemi 22 gjykata rrethesh gjyqësore (gjykata me juridiksion të përgjithshëm) 6 gjykata administrative të shkallës së parë, 1 gjykatë të posaçme të shkallës së parë, 6 gjykata apelesh me juridiksion të përgjithshëm, 1 Gjykatë Administrative Apeli dhe 1 gjykatë të posaçme apeli, pra gjithsej 38 gjykata, për një numër tërësor prej afërsisht 400 gjyqtarësh, referuar organikës së miratuar dhe jo gjendjes aktuale.

Një organizim i tillë, me një numër të madh gjykatash, ka ardhur si pasojë e kritereve minimale për numër gjyqtarësh në gjykatë që parashikonte legjislacioni i mëparshëm. Kjo pati çuar që të kishte gjykata të shkallës së parë me vetëm 4 gjyqtarë dhe gjykata apeli me vetëm 6 gjyqtarë.

Nga njëra anë, një shpërndarje e tillë gjyqtarësh dhe gjykatash solli që shpeshherë të ishte e nevojshme delegimi i gjyqtarëve nga një gjykatë në një gjykatë tjetër, për të gjykuar çështje të caktuara, për shkak të konsumimit, si rrjedhojë e parashikimeve procedurale dhe kryesisht në çështjet penale, të gjyqtarëve të një gjykate.

Më shpesh, kjo ndodh në gjykatat e vogla të cilat, për shkak të numrit të kufizuar të burimeve njerëzore, detyrohen që si pasojë e papajtueshmërisë për shkaqe të ndryshme të gjyqtarëve të asaj gjykate, të kërkojë delegimin e gjyqtarëve nga gjykata të tjera.

Një fenomen i tillë sjell kosto financiare, për shkak të transportit të gjyqtarëve nga një gjykatë në një tjetër, si dhe zvarritje të proceseve si në gjykatën që shfaq nevojën e delegimit, ashtu edhe në gjykatën nga vijnë gjyqtarët e deleguar, të cilët ditën që u duhet të gjykojnë si të deleguar detyrohen të ndërpresin punën në gjykatën ku janë emëruar.

Nga ana tjetër, kjo ka sjellë edhe kosto të larta në menaxhimin e gjykatave, pasi për çdo gjykatë, qoftë kjo edhe gjykata me numrin më të vogël të gjyqtarëve, prej 4 të tillësh, ka nevojë për një staf të caktuar mbështetës, si kancelar, kryesekretar, sekretare gjyqësore të gjyqtarëve dhe kryesekretar, ftues gjyqësor, nëpunës gjyqësor, shofer, punonjëse IT, punonjëse pastrimi, etj.

Së fundi, fragmentimi i tillë i pushtetit gjyqësor solli dhe ndarje të pabarabartë të ngarkesës në punë të gjyqtarëve dhe si pasojë shpejtësi të ndryshme gjykimi, por edhe kritere të pabarabarta në vlerësimin e gjyqtarëve.

Kujtojmë se deri në momentin e fillimit të procesit të vetingut, duke qenë se mbas tij nuk mund të flitet më për të dhëna të sakta studimore, për shkak të ndryshimit drastik të numrit të gjyqtarëve, ka pasur gjykata me një ngarkesë të tillë pune që një gjyqtar i vetëm, në një vit, ka gjykuar më tepër se të gjithë gjyqtarët e marrë së bashku të një gjykate tjetër.

P.sh., një gjyqtar në Lezhë apo Tiranë ka gjykuar në një vit më shumë çështje se të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Përmetit apo Gjykatës së Pukës.

Një nga qëllimet e reformës në drejtësi ishte dhënia e një drejtësie cilësore, eficiente, në një kohë të arsyeshme dhe me standarde të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës. Organizimi aktual gjyqësor, për arsyet që u dhanë më sipër, nuk e garantonte një gjë të tillë.

Për këtë shkak, një nga prioritetet që i vuri vetes Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte projektimi i hartës së re gjyqësore, bazuar edhe në kriteret e reja që ka vendosur Ligji 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Duke qenë se shpërndarja e gjyqtarëve në një numër të madh gjykatash solli pasojat negative që citova më sipër, u pa e nevojshme bërja e një studimi me qëllim që, duke u mbështetur edhe në kriteret minimale ligjore për të pasur një gjykatë, t’u ofrohet qytetarëve një shërbim gjyqësor cilësor, në një kohë sa më të shkurtër dhe të barabartë, kudo që ata të ndodhen.

Kjo do të çonte detyrimisht në shkrirjen e një numri të madhe gjykatash, të cilat as me kriteret që parashikon ligji i sipërcituar, nuk e justifikonin ekzistencën e tyre. Në të njëjtën kohë, një nga qëllimet e miratimit të hartës së re kishte të bënte edhe me mundësinë e krijimit të dhomave dhe seksioneve në gjykatat me juridiksion të përgjithshëm.

Një gjyqtar i specializuar në një fushë të së drejtës është një gjyqtar që ofron cilësi më të mirë gjykimi dhe vendimmarrje, por edhe gjykim më të shpejtë për sa u përket afateve.

Nga studimi i bërë në këtë drejtim, duke marrë për model edhe riorganizimet që janë bërë në sistemet gjyqësore të vendeve të tjera, si p.sh., në Portugali, Itali, Danimarkë, etj., u pa se gjykatat me numër më të madh gjyqtarësh janë më eficiente, si nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe nga ajo cilësore, në drejtim të gjykimit të çështjeve.

Për këtë qëllim, Këshilli i Lartë Gjyqësor u asistua edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si dhe nga ekspertë të huaj, të cilët dhanë kontributin, ekspertizën, por edhe modelet e tyre për sa i përket skicimit të hartës së re gjyqësore.

Një tjetër dobi e riorganizimit gjyqësor, në bazë të hartës se re është edhe kursimi i burimeve financiare.

Një numër më i vogël gjykatash sjell ulje të kostove, pasi shmangen, në një masë të madhe, delegimet për çështje të caktuara të gjyqtarëve në gjykata të tjera nga ato ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme, si dhe zvogëlohet e përqendrohet numri i personelit ndihmës të gjyqtarëve, duke i dhënë në të njëjtën kohë edhe një asistencë më të madhe këtyre të fundit në veprimtarinë gjyqësore.

Së fundi, por jo një arsye kryesore, pra më tepër një argument shtesë, procesi i vetingut ka sjellë një mungesë të madhe të numrit të gjyqtarëve, gjë që ka sjellë një vështirësi të shtuar të menaxhimit të burimeve njerëzore, ku nënkuptoj gjyqtarët, të shpërndarë në një numër kaq të madh gjykatash.

Çfarë metodologjie është përdorur nga grupi i punës së Këshillit të Lartë Gjyqësor për të bërë këtë rishpërndarje të gjykatave në Shqipëri?

Sikurse e theksova, së pari, grupi i punës është mbështetur në kriteret minimale ligjore për pasur një gjykatë. Konkretisht, ligji parashikon që për të pasur një gjykatë të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm dhe një gjykatë të shkallës së parë administrative, numri minimal i gjyqtarëve duhet të jetë 7, ndërsa për të pasur një gjykatë apeli me juridiksion të përgjithshëm dhe administrative, numri minimal i gjyqtarëve duhet të jetë 10.

Së dyti, grupi i punës, duke u bazuar edhe në praktikat më të mira të vendeve të tjera në këtë drejtim, të cilët kanë bërë riorganizim të gjykatave, është mbështetur në faktin se cili është numri ideal i gjyqtarëve në një gjykatë për të ofruar retiçencën maksimale në kohëzgjatjen e një procesi, si dhe në numrin e çështjeve të evaduara për një vit.

Së treti, grupi i punës ka vënë në balancë nevojën për specializim të gjyqtarëve, të cilën mund ta ofrojë vetëm një gjykatë me një numër të madh gjyqtarësh, me largësinë e qytetarëve nga vendndodhja e gjykatës, pra koha që u duhet për të udhëtuar.

Pse, sipas jush, harta e re gjyqësore nuk e kufizon aksesin e qytetarit për drejtësi dhe nuk rrit kostot financiare kur p.sh., për një çështje së Shkallës së Parë, një qytetar nga Përmeti do t’i drejtohet Gjykatës së Gjirokastrës?

Siç e thashë edhe më lart, kriteri i pandryshueshëm për projektimin e hartës së re gjyqësore ka të bëjë me numrin minimal të gjyqtarëve në një gjykatë.

Ky është një kriter i sanksionuar në ligj dhe që nuk mund të ndryshojë veçse duke u ndryshuar ligji.

E vërteta është se edhe kur është hartuar Ligji 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka përcaktuar numrin minimal të gjyqtarëve për gjykatë, kjo është paraprirë nga një studim tjetër, të cilin nuk është vendi ta analizojmë këtu, pasi jemi përpara faktit të kryer.

Kjo bën që, me gjithë dëshirën e mirë që mund të ekzistojë, gjykata e marrë si shembull nga ju të mos i plotësojë kriteret minimale për të pasur një gjykatë të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, pasi numri total i çështjeve që regjistrohen në atë gjykatë nuk është i tillë që kjo gjykatë të mund të ketë 7 gjyqtarë.

Duhet të mbajmë parasysh që përcaktimi i numrit të gjyqtarëve në një gjykatë nuk është arbitrar, apo i pastudiuar, sikurse është bërë deri më sot, por lidhet me ngarkesën mesatare, që duhet të ketë çdo gjyqtar i Republikës.

Kjo do të thotë se në përcaktimin e numrit të gjyqtarëve në një gjykatë duhet të merret numri i përgjithshëm i çështjeve që janë regjistruar në tre vitet e fundit në atë gjykatë, e pjesëtuar me numrin mesatar të çështjeve për gjyqtar në rang republike, po për tre vitet e fundit.

Kjo, jo vetëm që është një kërkesë e ligjit, por garanton shpërndarje të barabartë të punës së gjyqtarëve në të gjithë vendim dhe si rrjedhojë, dhënien e drejtësisë në kohë të barabartë në çdo gjykatë.

Lidhur me aksesin në drejtësi duhet të kemi parasysh se ai nuk duhet të llogaritet në kilometra, por në kohën që i duhet një çështje për t’u gjykuar në një shkallë gjykimi, si dhe në të gjitha shkallët e gjykimit bashkë.

Pra, aksesi ka të bëjë më tepër me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, sesa me largësinë e vendndodhjes së gjykatës.

Për hir të së vërtetës, infrastruktura rrugore sot është shumë herë më e mirë se më parë dhe trendi tregon se ajo është duke u përmirësuar në vazhdimësi. Distancat janë shkurtuar dhe udhëtimi po bëhet në kohë gjithmonë e më të shkurtër. Për dy ose tre orë tashmë mund të shkohet nga kryeqyteti në qytetin më periferik të vendit.

Është e vërtetë që harta e re gjyqësore do të sjellë edhe rritje të kostos për qytetarët por, e vendosur në peshore, kjo në analizë të fundit nuk është më e rëndësishme se përfitimet që vijnë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që marrja e shërbimit gjyqësor kushton në çdo vend të botës së qytetëruar.

Kjo më tej kompensohet me ndihmë shtetërore për grupet vulnerabël, apo individët që nuk kanë mundësi ekonomike, si në formën e ndihmës juridike falas ashtu edhe përmes përjashtimit nga tarifat gjyqësore për atë pjesë të qytetarëve që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj.

Propozimi për ekzistencën e një gjykate të vetme, atë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke shkrirë 6 ekzistueset, a arrin të garantojë akses në kohë në drejtësi?

Një pjesë të përgjigjes për këtë pyetje, e dhashë më lart, lidhur me atë se çfarë duhet të kuptojmë me akses. Riorganizimi i gjykatave të apeleve në vetëm një gjykatë apeli, me juridiksion të përgjithshëm, për mendimin tim kushtëzohet nga tre faktorë.

Së pari, nevoja për specializim të gjyqtarëve, sidomos ata të apelit, duke qenë se vendimi i kësaj gjykate është i formës së prerë, pra i ekzekutueshëm, dhe me pak gjasa për t’u ndryshuar në Gjykatën e Lartë, duke marrë parasysh ridimensionimin e juridiksionit të kësaj gjykate, si një gjykatë precedenti.

Nëse gjykatat e apelit nuk do të riorganizohen në vetëm një gjykatë apeli, por do të kishim, le të themi, tre apo katër të tilla, atëherë mundësinë për ofrimin gjyqtarëve të specializuar, pra gjyqtarëve të ndarë në dhoma e seksione dhe që gjykojnë një kategori të caktuar çështjesh si dhe që trajnimin e marrin në atë fushë specifike të së drejtës, do të mund të ofrohej vetëm në Gjykatën e Apelit Tiranë, referuar numrit të gjyqtarëve që ajo do të ketë në raport me gjykatat e tjera të apelit.

Në këtë drejtim, vetëm qytetarët që çështjet e tyre gjykohen nga Gjykata e Apelit Tiranë do të mund të marrin një shërbim më të profilizuar gjyqësor, ndërkohë që qytetarët, çështjet e të cilëve do të gjykohen nga gjykatat e tjera të apelit, do të kishin vendimmarrje, sado të dhëna nga gjyqtarë profesionistë, jo në atë nivel specializimi. Kjo do të sillte cenimin e barazisë në marrjen e shërbimit gjyqësor, në raport me cilësinë e saj.

Së dyti, gjykata e apelit është një gjykatë me juridiksion rishikues, pra ajo gjykon si rregull mbi aktet e grumbulluara në gjykimin në shkallë të parë dhe në shumicën dërrmuese të rasteve gjykimin e përfundon me një seancë.

Duke qenë e tillë, thelbi i diskutimit në seancën e vetme që mbahet janë ato që palët kanë parashtruar më parë me shkrim mjetet e ankimit, pasi një gjykim i tillë nuk mund të dalë tej shkaqeve të ngritura në këto mjete.

Për këtë arsye, jo vetëm që prezenca fizike nuk është aq e domosdoshme sa në gjykimin në shkallë të parë, por edhe kostot e udhëtimit nuk do të jenë aq të larta, sa mendohet apo diskutohet, nëse mbajmë në konsideratë që gjykimi përfundon si rregull me një seancë.

Në këtë drejtim madje do të shkoj më tej, duke parë mundësinë që në të ardhmen e afërt, gjykimi në apel të ridimensionohet si një gjykim kameral, pra në dhomë këshillimi, duke pasur në konsideratë natyrën rishikuese të këtij gjykimi, si dhe duke marrë si model gjykimin në Gjykatën Administrative të Apelit, i cili si rregull është në dhomë këshillimi dhe që ka rezultuar efikas në këtë drejtim.

Edhe standardet minimale Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut e pranojnë kufizimin e së drejtës për t’u dëgjuar drejtpërdrejt në një seancë plenare, vetëm në një shkallë gjykimi. Në këtë aspekt, i japim më shumë fleksibilitet gjykimit në apel, nuk cenojmë dhënien e drejtësisë, si dhe jemi në përputhje edhe me Konventën.

Së treti, edhe pse nuk është argumenti kryesor, procesi i vetingut ka sjellë mungesa të mëdha në pushtetin gjyqësor. Kjo më së tepërmi ka ndikuar në gjykatat e apelit, të cilat janë prekur rëndë nga ky proces dhe gjykata të tilla me një shtrirje territoriale të gjerë dhe numër të madh çështjesh janë katandisur me vetëm një trup gjykues.

Bashkimi në këtë moment i të gjitha apeleve me juridiksion të përgjithshëm në një të vetëm, do të shmangte delegimet e gjyqtarëve për çështje të caktuara, të cilat janë një peshë e shtuar në ngarkesën e madhe që aktualisht ata përballojnë, do të kthente në normalitet skemën e delegimit, e cila për shkak të situatës është denatyruar në njëfarë mënyre, si dhe do të ofronte gjykim në afate të njëjta për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Me reformën e propozuar, a rrezikohet të krijohet një stok dosjesh të pashqyrtuara, pasi është një precedent, ai i Gjykatës së Lartë me 35 mijë dosje të pashqyrtuara?

Përkundrazi. Riorganizimi gjyqësor do të çojë në uljen e numrit të dosjeve të prapambetura. Dhe këtu flas kryesisht për gjykatat e apeleve, pasi gjykatat e shkallës së parë e shqyrtojnë menjëherë çdo çështje që regjistrohet, ndërkohë që në apel një çështje, nëse nuk bën pjesë në ato për të cilat ligji apo natyra e saj ka parashikuar gjykimin me përparësi, presin radhën.

Sot kemi një realitet të tillë që në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër apo Gjykatën e Apelit në Korçë shqyrtohen çështjet e vitit 2022 ndërkohë që në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka ende çështje të vitit 2016 pa u shqyrtuar.

Procesi i plotësimit të vakancave në gjykatat e apelit është një proces i gjatë pasi kërkon, së pari, plotësimin e përvojës minimale nga ana e kandidatit, së dyti, kalimin me sukses prej procesit të vetingut dhe, së treti, pasjen e dy vlerësimeve prej tij, pa llogaritur këtu që për një vakancë mund të kemi disa kandidatë dhe për t’u plotësuar ajo, do të duhet të pritet që të gjithë këta kandidatë të kenë kaluar procesin e vetingut dhe të kenë dy vlerësime, ndërkohë që mund të jenë në faza të ndryshme të procesit.

Si rrjedhojë, bashkimi i të gjitha apeleve me juridiksion të përgjithshëm në një të vetëm do të sjellë që të gjithë qytetarët ta marrin drejtësinë në kohë të njëjtë, të gjithë gjyqtarët të gjykojnë dosjet e të njëjtit vit, duke bërë të mundur heqjen sa më parë të dosjeve të prapambetura, si dhe cilësia e vendimmarrjes të jetë e njëjtë për të gjithë.

Mendoj se dosjet e prapambetura, ku bëhet fjalë ende për vitin 2016, nëse marrin si shembull Gjykatën e Apelit Tiranë, si gjykata me backlogun më të madh në numër dhe më të vjetër në kohë, do të evadoheshin më shpejt nëse gjykata e vetme e apelit do të kishte 27 gjyqtarë, në rast të një bashkimi, në raport me situatën që kjo gjykatë apeli e kryeqytetit do të kishte 14 gjyqtarë sa ka aktualisht.

Në pikëpamje të barazisë së qytetarëve përpara ligjit është e papranueshme që një qytetar në Gjirokastër të gjykohet për një çështje të vitit 2022 në apel, ndërkohë që një qytetar në Tiranë të presë 6 vjet. Ndaj është më mirë që të gjithë të sakrifikojnë nga pak në këto moment, në mënyrë që në të ardhmen e afërt të gjithë të gjykohen brenda afateve të arsyeshme.

Në të njëjtën kohë, specializimi i gjyqtarëve në dhoma dhe seksione do të çojë, jo vetëm në dhënien e një drejtësie më cilësore, por edhe në rritjen e numrit të çështjeve të shqyrtuara për gjyqtar, në raport me situatën kur një gjyqtar gjykon të gjitha llojet e çështjeve.

Një gjyqtar që gjykon një tipologji të caktuar çështjesh arrin të krijojë modele në punën e tij dhe kjo më pas e ndihmon për të gjykuar një numër më të madh çështjesh, se sa një tjetër që merret me gjithçka, nga çështjet penale, tek ato civile, nga familjaret tek çështjet tregtare. E ardhmja u takon të parëve, e shkuara të dytëve.

Nga Reforma në Drejtësi, numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është ulur. A arrin numri aktual të përqendrojë nevojën bazuar te harta e re gjyqësore?

Një nga arsyet, edhe pse e fundit sikurse e përmenda më lart, që duhet të na nxisë në miratimin sa më parë të hartës së re gjyqësore, ka të bëjë edhe me krijimin e vakancave në pushtetin gjyqësor si pasojë e procesit të vetingut.

Riorganizimi dhe përqendrimi i gjyqtarëve në një numër më të vogël gjykatash do t’i japë frymëmarrje më të madhe sistemit, do të baraspeshojë ngarkesën ndërmjet tyre dhe do të përpiqet të ofrojë sa të jetë e mundur, edhe pse në kushte ekstreme, dhënien e drejtësisë në kohë.

Problemi më akut aktualisht është në gjykatat e apeleve, pasi gjykatat e shkallës së parë së shpejti do të fillojnë të mbushen me studentët që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Në këtë drejtim do të ndihmojë sado pak edhe kthimi i stazhit profesional në vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës.

Në dijeninë time, për tre vite radhazi, duke filluar nga ky vit, Shkolla e Magjistraturës do të nxjerrë afërsisht 60 magjistratë, gjyqtarë e prokurorë, për çdo vit akademik, çka do të lehtësojë sa do pak ngarkesën e gjyqtarëve të shkallës së parë, gjykata të cilat prej disa kohësh kanë filluar ta ndiejnë peshën e procesit të vetingut, pas përfundimit të tij me gjyqtarët e gjykatave të apelit.

Ndërkohë, këto të fundit, janë momentalisht hallka më e dobët e zinxhirit të pushtetit gjyqësor, për shkak të vështirësisë së plotësimit të mungesave dhe numrit të lartë të gjyqtarëve të apelit të shkarkuar.

Për këtë shkak, harta e re gjyqësore, impaktin më të madh pozitiv do ta ketë në gjykimin në apel, përmes krijimit të një gjykate të vetme me juridiksion të përgjithshëm.